Bannon synon Shtëpinë e Bardhë në 2028-ën: Vance nuk ka forcën që duhet

Steve Bannon po shqyrton mundësinë e kandidimit për president në vitin 2028, pasi nuk mendon se zv/presidenti JD Vance është “mjaftueshëm i fortë”, sipas një raporti të ri.

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, podkasteri i së djathtës ekstreme, teoristi i konspiracioneve dhe i dënuar për vepra penale, tani e sheh veten të gatshëm për postin më të lartë, sipas burimeve të njohur me çështjen të cilët folën për The Daily Mail.

Kjo vjen pasi Donald Trump e cilësoi zëvendësin e tij si pasues të mundshëm pas përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit si president. “Mendoj se ka shumë mundësi. Sinqerisht, ai është zv/presidenti,” tha Trump për gazetarët të martën.

Por burime pranë Bannon-it i thanë Mail se 71-vjeçari, drejtues i programit War Room, e ka kritikuar Vance-in privatisht, duke marrë madje meritën për forcimin e identitetit të tij MAGA gjatë zgjedhjeve paraprake për Senatin në Ohajo më parë.

Një burim pretendoi se Bannon gjithashtu e kishte “shtyrë dhe mbështetur” Vance-in drejt postit të zv/presidentit dhe praktikisht “kishte krijuar imazhin e tij”.

“E dua… por Vance nuk është mjaftueshëm i fortë për të kandiduar në 2028,” është mesazhi që Bannon po u përcjell njerëzve të tij më të afërt, sipas të njëjtit burim.

Plani i Bannon-it për të nisur dhe drejtuar fushatën e tij është ende në fazat më hipotetike dhe të mendimit.

“Nuk mendoj si politikan… Gjithçka që bëj është të mbështes presidentin Trump dhe të përpiqem të avancoj agjendën populiste dhe atë Amerika e para,” tha Bannon në një intervistë për Politico në mars, duke shtuar se ideja e kandidimit të tij ishte “shumë absurde”.

Megjithatë, ai nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e një kandidimi presidencial.

Në përputhje me komentet e Trump-it këtë javë, pjesëmarrësit në një konferencë të CPAC në shkurt zgjodhën Vance-in si kandidatin kryesor për të pasuar presidentin me 61 për qind të votave. Bannon doli i dyti me 12 për qind.

Kjo, natyrisht, nëse Trump nuk kandidon për një mandat të tretë, siç ka bërë shaka disa herë më parë. “Do të më pëlqente të kandidoja,” tha ai kur u pyet për këtë mundësi në programin Squawk Box të CNBC-së të martën. “Kam shifrat më të mira në sondazhe që kam pasur ndonjëherë.” / The Independent - Syri.net