Ilir Meta dënon ndërprerjen dhunshme të sinjalit të News 24: Sulm i papranueshëm ndaj fjalës së lirë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dënuar me forcë aktin kriminal të sotëm ndaj fjalës së lirë, konkretisht ndërprerjen e dhunshme të sinjalit të televizionit “News 24”.

Ky veprim përbën një tjetër shenjë të qartë të regjimit represiv të quajtur “Ramaduro”, i cili vazhdon të sulmojë me egërsi liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor të shqiptarëve.

Në një reagim të fortë, Meta shpreh solidaritet të plotë me gazetarët e medias së pavarur, të cilët sot përballen me kërcënime të mëdha ndaj lirisë profesionale dhe vendit të tyre të punës.

Postimi:

Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit "News 24" është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të "Ramaduros", armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.
Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.
U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar.