Shpëtoi tre të plagosurit e aksidentit në Fier, polici nderohet me certifikatën për Shërbime të Dalluara

Klajdi Mustaj është polici hero që mbrëmjen e kaluar shmangu një tragjedi në Fier falë ndërhyrjes së menjëhershme duke shpëtuar tre të rinj pas një aksidenti të rëndë rrugor në aksin Leva-Fier.

Ngjarja ndodhi në zonën e Qafë Koshovicës, ku një automjet tip “Benz” humbi kontrollin, u përplas me një pishë anës rrugës dhe përfundoi i përmbysur, duke shpërthyer menjëherë në flakë. Sipas dëshmive, në automjet ndodheshin katër persona të rinj, të cilët mbetën të bllokuar brenda.

Efektivi Klajdi Mustaj, i cili ndodhej pranë vendit të aksidentit, nuk priti mbërritjen e shërbimeve zjarrfikëse, por ndërhyri menjëherë, duke hyrë mes flakëve dhe duke nxjerrë të gjallë katër të rinjtë e plagosur nga makina që po digjej.

Një qytetar që ndodhej në vendngjarje ka filmuar momentin dramatik të ndërhyrjes së policit dhe ka dëshmuar se falë guximit dhe reagimit të tij të shpejtë, u shmang një tragjedi e rëndë.

Të plagosurit janë transportuar në spital dhe vetëm njëri prej tyre ndodhet aktualisht në rrezik për jetën.

Njoftimi:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, vlerëson dhe falënderon Inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara!

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.