'Të bashkohemi të gjithë kundër këtij regjimi'/ Balliu: PD mbështet fuqimisht median e lirë dhe dënon dhunën ndaj News24
Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, shprehu mbështetjen e plotë ndaj medias së lirë dhe shtypit të pavarur, duke theksuar se çdo gazetar dhe çdo media duhet të jetë e lirë për të shprehur mendimin e vet, sidomos kur zbulojnë korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar në qeveri.
Balliu kritikoi ashpër ndërhyrjen e sotme ndaj televizionit News24, të cilën e cilësoi nën “sundimin e narkopolicisë” të drejtuar nga persona me lidhje me krimin e organizuar. Ai e lidh këtë sulm me raportimet e medias për aferat korruptive dhe bashkëpunimin e pushtetit me krimin.
“PD dënon ashpër këtë dhunë ndaj mediave dhe lirisë së fjalës në Shqipëri,” tha Balliu, duke vënë në dukje se nuk është hera e parë që qeveria përdor masa të tilla për të heshtur mediat që kritikojnë. Ai përmendi mbylljen e Agon Channel dhe konfiskimin e RTV Ora si shembuj të sulmeve të mëparshme ndaj medias kritike.
Deputeti i opozitës bëri thirrje që liria e medias të respektohet nga të gjithë, duke theksuar se media nuk janë pronë e asnjë partie apo qeverie, por institucione të rëndësishme të pluralizmit dhe transparencës.
“Ky sulm nuk është vetëm ndaj News24, por ndaj gazetarisë dhe shtypit të lirë në Shqipëri,” tha Balliu, duke paralajmëruar se mbyllja e sinjalit të televizionit është vetëm një pjesë e përpjekjeve për konsolidimin e pushtetit absolut dhe kriminal të Edi Ramës.
Ai ftoi qytetarët dhe median të bashkohen kundër këtij regjimi dhe konfirmoi se Partia Demokratike do të vazhdojë të mbështesë çdo media dhe gazetar që lufton për transparencë dhe të vërtetë.
Deklarata e Balliut:
Jam sot këtu për të shprehur mbështetjen e plotë ndaj medias së lirë, shtypit të pavarur, të Partisë Demokratike. PD është në mbështetje të çdo gazetari, pavarësisht mendimeve që gjithësecili prej tyre ka.
Çdo gazetar dhe çdo media duhet të jetë e lirë, të shprehe mendimin e vet, dhe aq më tepër kur ata bëjnë një punë kurajoze të transparencës së aferave korruptive të një qeverie tanimë botërisht të ditur, si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
Në rastin konkret, News24 është sot nën sundimin e narkopolicisë të drejtuar nga një njeri i cili dihet fare mirë për lidhjet e tij me krimin e organizuar, si Ilir Proda, një skllav i një shefi tjetër të narkopolicisë që është Ardi Veliu, të deleguar sot këtu për ti mbyllur gojën fjalës së lirë dhe mediave që kanë për detyrë informimin e qytetarëve shqiptarë.
PD dënon ashpër këtë dhunë ndaj mediave dhe lirisë së fjalës në Shqipëri. Dua të theksojmë se justifikimet boshe të qeverisë se, për projekte në interes të vendit, të shkatërrojnë mediat, kjo nuk ekziston në asnjë vend të botës.
Ky nuk është rasti i parë.
Kemi parë se si Agon Channel është mbyllur sepse transmetonte vjedhjet e qeverisë.
Kemi parë se si RTV Ora është konfiskuar sepse godiste vjedhjet në bashki.
Dhe sot shikojmë se si News24 që nëpërmjet emisioneve të shumta, siç është emisioni ‘Veting’, ‘Shënjestër’ denonconte aferat korruptive nga Lubi Balluku e deri tek Edi Rama, dhe po ashtu transparencën e plotë të krimit të organizuar me pushtetin politik dhe konkretisht me Edi Ramën.
Kanë qenë pikërisht këto arsye që kanë sjellë sot këtë dhunë të qeverisë së Edi Ramës, ndaj mediave, ndaj News24.
Ftoj çdo qytetar, çdo media, pavarësisht mendimeve që mund të kemi, të majta apo të djathta dhe të pa asnjë ane: liria është e të gjithëve, e drejta për të folur është e të gjithëve, mediat janë të të gjithëve. Media nuk janë pronë e asnjë partie dhe nuk mund të jenë kurrë pronë e një qeverie.
Ndaj sot ky sulm nuk është ndaj News24, por ndaj institucionit më të rëndësishëm që ka në pluralizëm që është gazetaria, media, shtypi i lirë, pa të cilin asnjëri nga ne nuk do të kishte informacionin e duhur.
E kemi parë se si ka jetuar vendi ynë kur mediat i kontrollonte të gjitha vetëm një pushtet. Kemi vetëm 30 e pak vite që jemi larguar nga ai regjim dhe sot dita ditës po kthehemi edhe më shumë.
Sot me këtë ndërhyrje, qeveria po kërkon të konsolidojë pushtetin absolut dhe kriminal të saj.
Dua të ju kujtoj këtu se kjo media ka qenë nën sulm edhe më parë, që njësoj ka qenë SYRI TV dhe shumë e shumë gazetarë të ndryshëm për transparencën me guxim që ato kanë bërë ndaj qeverisë.
Ndaj të nderuar qytetarë, jemi sot këtu si opozitë, si PD për të shprehur mbështetjen e plotë ndaj gazetarëve, ndaj jo vetëm News24, por ndaj çdo media të lirë dhe transparente.
Por është detyra jonë si shoqëri të bashkohemi për ta shpëtuar vendin nga një narkopushtet i cili sot ndërmarrë edhe hapat e fundit të konsolidimit të pushtetit të vet, duke kërkuar mbylljen totale, dhe kanë hequr sinjalin pa asnjë vendim qeverie, sepse vendimi i qeverisë nuk ka të bëjë me godinën ku është News24 sot, por ka të bëjë me një godinë tjetër pranë saj.
Kanë hequr sinjalin pa sjellë asnjë urdhër paraprak televizionit dhe këtë e bëjnë qëllimisht për të gjitha mediat që janë sot këtu.
Sot e ka News24, nesër e ka një media tjetër.
Ndaj të bashkohemi të gjithë kundër këtij regjimi.
PD ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo punë të gazetarëve dhe çdo media që kërkon të bëjë transparencë të vërtetë.