'Regjimi i Ramës godet median e lirë', Balliu: Sulm i drejtpërdrejtë ndaj pluralizmit dhe demokracisë
Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, u shpreh se situata e krijuar ndaj medias së lirë është dëshmi e qartë se në Shqipëri nuk ka më demokraci funksionale, por një regjim që godet zërat kritikë dhe përpiqet të mbyllë çdo hapësirë të fjalës së lirë.
Ai theksoi se sulmi ndaj televizionit News24 dhe presioni ndaj gazetarëve është një veprim kriminal i drejtuar nga qeveria dhe i zbatuar nga strukturat e policisë së narkoshtetit.
Pjesë nga deklarata:
Në emër të Partisë Demokratike, dua të shpreh mbështetjen e plotë për median e lirë dhe për të gjithë gazetarët. Fakti që sot ndodhemi në këtë situatë si opozitë dhe si zëra që prej kohësh denoncojnë gjendjen në vend nuk është surprizë. Por për të gjithë ata që kanë pasur ende dyshime se jetojmë në një vend normal, dita e sotme është dëshmi e qartë se Shqipëria ndodhet nën një regjim.
Vetëm dje, pikërisht në ekranin e News24, kam paralajmëruar goditjen që Edi Rama po përgatit kundër medias së lirë. Dhe sot, ajo po ndodh.
Është për të ardhur keq që figura si Ardi Veliu, një njeri i lidhur me krimin dhe i përfshirë në ngjarje të rënda shtetërore, dërgohet sërish për të ndërmarrë veprime kriminale kundër pluralizmit dhe demokracisë. Duhet theksuar se News24, nëpërmjet emisioneve të saj, ka bërë transparencë të plotë mbi aferat korruptive nga ato të ministrisë së Belinda Ballukut, te ato që lidhen direkt me Edi Ramën. Njëkohësisht, ky televizion ka hedhur dritë mbi lidhjet e krimit të organizuar me politikën.
Janë pikërisht këto denoncime dhe kjo transparencë që kanë çuar sot policinë e narkoshtetit të mbërrijë për të bllokuar derën e një televizioni, në një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të lirisë së medias dhe të vetë pluralizmit në vend. Kjo është një goditje e rëndë ndaj të drejtave të gazetarëve dhe ndaj fjalës së lirë.
Partia Demokratike dënon me forcë aktet kriminale të policisë së narkoshefit Ilir Proda, skllevër të Ardi Veliut dhe krimit të organizuar, të cilët veprojnë me urdhër të Edi Ramës për të mbyllur çdo media dhe hapësirë që denoncon aferat kriminale dhe që bën transparencë për vjedhjet që i bëhen qytetarëve shqiptarë.