Rrethimi i mediave, Gjekmarkaj: Shqipëria po humbet lirinë e fituar me dekada

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ashpër lidhur me rrethimin nga policia dhe pengimin e punës së gazetarëve në televizionin News24 dhe disa media të tjera si Panorama, Balkanweb dhe Gazeta Shqiptare.

Gjekmarkaj e ka cilësuar këtë situatë si një akt të pabesë dhe një sulm direkt ndaj medias së lirë dhe profesioniste në vend. “Sulmi ndaj tyre është grusht në fytyrën e çdo qytetari,” tha ai.

Sipas tij, Shqipëria po humbet me shpejtësi atë që ka fituar me mundim dekadë pas dekade, duke u ngritur, rrezuar dhe ringritur. “Një media e hapur, e lirë dhe profesionale po goditet me dhunë policore. Kjo qeveri po shkel me këmbë maskën e vet të kinse liberalizmit që deri më sot e mbante me shumë zor,” theksoi deputeti.

Ai shtoi se prania e policisë në dyert e mediave përbën një sfidë ndaj lirisë, një heqje dorë nga demokracia si parim dhe shkelmim i integrimit europian, duke e përshkruar këtë si një metodë fashiste dhe komuniste.

Gjekmarkaj kujtoi se “Shqipëria e diktaturës ishte më e ndershme në qëllimet e saj shtypëse, pasi nuk fshihej”, ndërsa u bëri thirrje përfaqësuesve të vendeve demokratike dhe perëndimore në Tiranë që të mos tolerojnë këto veprime në një vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe është anëtar i NATO-s.

“Sulmi i sotëm synon verberinë dhe shurdhërinë e shoqërisë shqiptare,” përfundoi deputeti, duke cituar frazën e Zef Pllumit: “Ketij populli me i shti opangen në gojë nuk bzan!”

Reagimi i plotë: 

Ajo që po ndodh sot me mediat “News 24”, “ Panorama”, “Balkanweb” , “Gazeta Shqiptare” është në kufijtë e të pabesueshmes.  Sulmi ndaj tyre është grusht në fytyren e çdo qytetari. 
Mesazhi është i qartë Shqiperia po humbet me shpejtësi atë që ka fituar me shumë mundim dekadë pas dekade duke u ngritur, rrezuar e ringritur. 
Një media e hapur, e lirë dhe profesionale po goditet me dhunë policore. Kjo qeveri po shkel me këmbë masken e vet të kinse liberalizmit që deri më sot e mbante me shumë zor. Policia në dyert e medias është sfidë ndaj lirisë, heqje dorë nga demokracia si parim, shkelmim i integrimit si ënderr shekullore. Keto janë metoda fashiste e komuniste! 
Shqiperia e diktatures ishte me e ndershme në qellimet e veta shtypese nuk fshihej! Ambasadoret e vendosur asokohe në vendin tonë e dinin që ishin në një vend diktatorial e pranonin statusquonë! 
Ata që sot punojnë në Tirane duke perfaqesuar vendet e tyre demokratike e perendimore nuk mund të sillen sikur gjinden në një vend anetar të Natos , në një vend që synon anëtaresimin në BE. Sulmi i sotem synon “verberine” e “shurdherinë” e shoqerisë shqiptare. 
At Zef Pllumi në deshperimin ku e çuan honet e historisë pat leshuar maksimen “ ketij populli me i shti opangen në gojë nuk bzan”!