Bozdo për situatën e News24: Rama kërkon kontroll total, rrethimi i mediave, sulm i hapur ndaj lirisë së shtypit

Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun e Beratit, Enno Bozdo, ka reaguar ashpër në lidhje me rrethimin e ambienteve të News24, Gazetës Panorama, Gazetës Shqiptare dhe Balkanweb nga policia dhe autoritetet shtetërore. Në një postim në Facebook, Bozdo e ka cilësuar këtë ngjarje si një sulm të rëndë ndaj lirisë dhe ekzistencës së mediave kryesore shqiptare.

“Së prapthi qëndron vetëm një person: Edi Rama, i cili kërkon kontrollin total të hapësirës mediatike. Kjo është tipike për regjimet autokratike dhe diktatoriale,” shkruan Bozdo.

Ai kujton ngjarjet me Agon Channel, duke theksuar se historia po përsëritet, ndërsa institucionet po përdoren si mjete politike për shuarjen e pluralizmit të fjalës.

“Ky nuk është më një shtet ligjor, por një regjim që nuk toleron kritikën,” thekson Bozdo, duke shtuar se Edi Rama po dërgon një mesazh të qartë për çdo gazetar dhe pronar mediaje: ose heshtni, ose do të përballeni me të njëjtin fat.

Megjithatë, ai paralajmëron se shtypja e fjalës së lirë vetëm e forcon atë dhe që mesazhi është i qartë: “O do më shërbesh mua, ose do të shkatërrohesh,” një fat që sipas tij po përsëritet tani me Grupin Mediatik Balkanweb, pas asaj që ndodhi me Agon Channel.