Salianji denoncon rrethimin e News24: Akt i paprecedentë censure dhe frikësimi nga regjimi

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj rrethimit të ndërtesës së televizionit News24.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi këtë veprim si një akt të paprecedentë censurë dhe frikësim.

“Sot, regjimi po kryen një akt të paprecedentë censure dhe frikësimi, duke nxjerrë me forcë dhe duke ndaluar gazetarët e News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare të shkojnë në vendin e tyre të punës dhe duke mbyllur sinjalin, prerë energjinë elektrike,” shkroi ai.

Salianji shtoi se ky veprim, i kryer në mënyrë tinëzare, me nxitim dhe pa pritur shqyrtimin gjyqësor të rastit, madje edhe në ditë pushimi për të shmangur reagimin publik, është shenja më e qartë e instalimit të një regjimi diktatorial që sheh fjalën e lirë si armik.

“Akt brutal censurë, frikësimi dhe shantazh. Është vula e një regjimi që nuk ka më asnjë lidhje me demokracinë dhe po shfaqet hapur si diktaturë,” theksoi ai.

Ish-deputeti theksoi rëndësinë e lirisë së medias si themel i çdo demokracie, duke e cilësuar sulmin ndaj saj si një sulm ndaj qytetarëve dhe së drejtës së tyre për informim.

Ai bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga organizatat ndërkombëtare të medias, institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë mike të Shqipërisë, për të ndaluar këtë “dhunë brutale ndaj lirisë së medias.”