'Diktaturë e hapur’, Stafa reagon ndaj rrethimit të News24: Nuk është më censurë, është goditje e fjalës së lirë
Gazetari Osman Stafa ka reaguar ashpër lidhur me ngjarjet e sotme, kur një numër i madh policësh rrethuan ndërtesën ku ndodhen televizioni News24.
Ai përshkruan me detaje si punonjësit e medias u nxorrën me forcë nga godina, si u fik energjia dhe sinjali, dhe si më pas u ndalua hyrja e çdo punonjësi në vendin e tyre të punës.
Për gazetarin, ajo që po ndodh sot nuk është thjesht mungesë transparence apo censurë, por një akt i pastër diktature që godet në thelb fjalën e lirë dhe demokracinë.
Postimi:
Sot në orën 6 të mëngjesit, një numër i madh policësh ka rrethuar televizionin News24, ku ndodhen edhe redaksitë e Gazetës Panorama, Balkanweb, Gazeta Shqiptare. Ata kanë nxjerrë nga ndërtesa çdo punonjës që ndodhej aty. Kanë fikur energjinë dhe sinjalin. Dhe prej atij momenti nuk kanë lejuar asnjë punonjës të medias të hyjë në godinë.
Gazetarë, operatorë, montazhier, teknikë, punonjës të administratës, (rreth 200 punonjës), nuk janë lejuar sot të shkojnë në vendet e tyre të punës.
Nuk janë lejuar as të transmetojnë këtë që po ndodh aktualisht.
Kjo nuk është më mungesë transparence.
Kjo nuk është më vrasje e fjalës së lirë.
Kjo nuk është më as censurë.
Kjo është DIKTATURË.