Rrethimi i News24, Balliu: Kjo është dhuna e shtetit mbi lirinë e fjalës, sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër pas rrethimit të godinës së televizionit News24 në Tiranë, mëngjesin e sotëm, ku forca të shumta policore dhe tatimore u vendosën pranë hyrjes së medias, duke penguar punën e gazetarëve.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu kujtoi se një ditë më parë, gjatë një interviste në News24, kishte paralajmëruar për presionet ndaj mediave që denoncojnë aferat e qeverisë. “Sot, Edi Rama ka vënë në lëvizje të njëjtën polici që mbyll sytë para krimit, drogës dhe bandave, për të mbyllur News24 — thjesht sepse ky televizion ka ekspozuar me fakte aferat kriminale e korruptive të tij dhe të Belinda Ballukut”, shkroi ai.
Balliu e cilësoi këtë veprim si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe një përpjekje për të “mbyllur gojën” e atyre që guxojnë të raportojnë mbi korrupsionin.