Plani i marrjes së Gazës/ Izraeli refuzon kritikat e liderëve botërorë, Netanjahu i zhgënjyer nga Berlini

Izraeli refuzon me forcë kritikat e liderëve botërorë pasi kabineti i tij i sigurisë miratoi planin për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se vendet që e dënojnë Izraelin dhe kërcënojnë me sanksione “nuk do të dobësojnë vendosmërinë tonë”.

“Armiqtë tanë do të na gjejnë si një grusht të fortë e të bashkuar që do t’i godasë me forcë të madhe,” shtoi ai.

Vendimi i Izraelit për të zgjeruar luftën në Gaza nxiti dënimin nga OKB-ja dhe disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë, si dhe shtyu Gjermaninë të pezullojë eksportet ushtarake drejt Izraelit.

Plani i miratuar nga kabineti i sigurisë përcakton pesë “parime” për përfundimin e luftës: çarmatosjen e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve, demilitarizimin e Rripit të Gazës, marrjen e kontrollit të sigurisë në territor dhe krijimin e “një administrate civile alternative që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez”.

Sipas mediave izraelite, plani fillimisht synon të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Gazës dhe të zhvendosë rreth një milion banorët e tij më në jug. Forcat do të marrin gjithashtu nën kontroll kampet e refugjatëve në Gaza Qendrore dhe zonat ku dyshohet se mbahen pengje.

Një ofensivë e dytë do të pasonte disa javë më vonë, paralelisht me një rritje të ndihmave humanitare, raportojnë mediat.

Ky vendim për të përshkallëzuar konfliktin ka hasur në kundërshtime të forta brenda vetë Izraelit, përfshirë nga zyrtarë ushtarakë dhe familjet e pengjeve që mbahen në Gaza.

Hamasi ka deklaruar se plani për të pushtuar qytetin e Gazës “përbën një krim të ri lufte” dhe do t’i “kushtojë shtrenjtë [Izraelit]”.

Duke reaguar ndaj vendimit, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm “do të sjellë zhvendosje masive me forcë, më shumë vrasje, më shumë vuajtje të padurueshme, shkatërrim pa kuptim dhe krime mizore”.

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, e quajti lëvizjen “të gabuar”, duke thënë se “do të sjellë vetëm më shumë gjakderdhje”.

Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, i bëri thirrje Izraelit “të mos ndjekë këtë rrugë”, duke theksuar se kjo “do të përkeqësonte vetëm katastrofën humanitare në Gaza”.

Ministria e Jashtme e Turqisë u bëri thirrje vendeve të botës të ndalin planin e Izraelit, që sipas saj synon “zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga toka e tyre”.

Në Kinë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme i tha agjencisë AFP se “Gaza i përket popullit palestinez dhe është pjesë e pandashme e territorit palestinez”.

Ndërkohë, Netanyahu i tha kancelarit gjerman Friedrich Merz se ishte i zhgënjyer nga vendimi i Berlinit për të pezulluar eksportet e armëve drejt Izraelit, duke e cilësuar këtë si “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”.

Në Izrael, familjet e pengjeve të mbetura në Gaza kanë paralajmëruar se jeta e 20 personave, që besohet se kanë mbijetuar, do të rrezikohet.

Shtabi i Forumit të Familjeve të Pengjeve deklaroi se vendimi “po na çon drejt një katastrofe kolosale, si për pengjet, ashtu edhe për ushtarët tanë”.

Megjithatë, SHBA ka qenë më pak kritike. Të martën, Presidenti Donald Trump tha se “mbetet kryesisht në dorën e Izraelit” nëse do të pushtojë plotësisht Rripin e Gazës.

Aktualisht, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kontrollojnë rreth tre të katërtat e Gazës, ndërsa pothuajse 2.1 milionë banorët ndodhen në çerekun e territorit që ushtria nuk e kontrollon.

OKB vlerëson se rreth 87% e Gazës ndodhet ose në zona të militarizuara, ose nën urdhra evakuimi.

Sipas OKB-së, ka ende zona në qendër të Gazës dhe përgjatë bregdetit të Mesdheut që Izraeli nuk i ka pushtuar.

Këto përfshijnë kampet e refugjatëve, ku është strehuar tashmë një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga veprimet ushtarake të Izraelit.

Shumica dërrmuese e popullsisë së Gazës është zhvendosur nga lufta, shumë prej tyre disa herë radhazi.

Lufta ka krijuar një krizë të rëndë humanitare në Gaza, pjesa më e madhe e së cilës, sipas ekspertëve të mbështetur nga OKB, ndodhet në prag të urisë së përgjithshme.

Territori po përjeton gjithashtu varfëri masive si pasojë e kufizimeve të ashpra të vendosura nga Izraeli mbi atë që lejohet të hyjë – kufizime që, sipas tij, synojnë dobësimin e Hamasit.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se korriku ishte muaji më i rëndë për rastet e kequshqyerjes akute te fëmijët në Gaza, duke prekur gati 12 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç.

Lufta filloi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje në Gaza. Izraeli nisi një ofensivë të madhe ushtarake në përgjigje, e cila ka vrarë të paktën 61,158 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza. /BBC.