Nga Dept. Q te Dying for Sex: 18 serialet më të bukur të vitit 2025 deri tani

Nga një serial policor intrigues në Netflix, te një mini-serial i fuqishëm mbi seksin dhe vdekjen, e deri tek sezoni i ri i Severance, këto janë disa nga produksionet më të mira të vitit deri tani.

1. Dept. Q

Detektivi i zgjuar, por i vështirë, Carl Morck (Matthew Goode) punon në çështje të ftohta në Edinburg. Seriali fokusohet më shumë te personazhet sesa te rastet, me figura komplekse si Akram Salim, një ekspert IT me të kaluar misterioze në Siri. Të mbushur me tension dhe inteligjencë, episodet kombinojnë atmosferë të frikshme me hetime të mprehta.

2. Dying for Sex

Bazuar në një podcast, tregon historinë e Molly Kochan, e diagnostikuar me kancer të gjirit në fazën IV, e cila lë bashkëshortin dhe fillon një udhëtim seksual për të gjetur kënaqësi para vdekjes. Me Michelle Williams në rol kryesor, seriali është i ndjerë, i matur dhe prekës, duke theksuar vlerën e lidhjeve njerëzore më shumë sesa provokimin.

3. Mr Loverman

Lennie James luan Barry Loverman, një burrë në të 70-at që ka jetuar fshehurazi në një marrëdhënie dashurie me mikun e tij të rinisë, ndërsa është i martuar me Carmel (Sharon D Clarke). Seriali trajton me humanizëm të vërtetën, tradhtinë dhe kompromiset në marrëdhënie afatgjata, pa demonizuar askënd.

4. Too Much

Nga Lena Dunham, një rom-com mbi Jessica (Megan Stalter), një drejtuese reklame që shpërngulet në Mbretërinë e Bashkuar pas një ndarjeje. Lidhja e saj me një muzikant (Will Sharpe) analizohet me nuancë dhe dhembshuri. Me pjesëmarrjen e aktorëve të ftuar si Richard E Grant dhe Naomi Watts, seriali gjen bukuri edhe te të metat.

5. Code of Silence

Alison Brooks (Rose Ayling-Ellis), një grua e re e shurdhër që punon në mensën e një komisariati, ndihmon policinë duke lexuar nga buzët pamjet e një bande kriminale. Historia është një thriller krimi që vlerëson aftësitë e saj dhe mënyrën si ajo sfidon pritshmëritë, ndërkohë që rrezikon veten në terren.

6. The Rehearsal

Nathan Fielder kthehet me një sezon të dytë po aq unik sa i pari, këtë herë duke “provuar” situata për të analizuar keqkuptimet mes pilotëve në kabinë. Me skena surreale dhe eksperimente të çuditshme, seriali shndërrohet në një studim të habitshëm dhe prekës mbi sjelljen njerëzore.

7. Étoile

Nga Amy Sherman-Palladino, një dramë mbi botën e baletit në Nju Jork dhe Paris, me rivalitete, shkëmbime valltarësh dhe atmosferë magjike. Charlotte Gainsbourg dhe Luke Kirby kryesojnë një kastë të shkëlqyer, ndërsa pamjet e qyteteve dhe skenave të baletit ofrojnë arratisje të pastër televizive.

8. Such Brave Girls

Një sitcom britanik brutal në sinqeritet, mbi dy motra dhe nënën e tyre që përballen me vështirësi ekonomike dhe marrëdhënie të rrëmujshme. Me humor të zi dhe tema tabu, sezoni i dytë ofron një portret të egër, por komik, të disfunksionit familjar.

9. The Studio

Një satirë mbi Hollywood-in, me Seth Rogen si kreu i një studioje filmash. Me cameo nga Martin Scorsese, Ron Howard e të tjerë, seriali ofron humor të mprehtë mbi industrinë e filmit në krizë, ndërsa takimet e marketingut dhe çmimet shndërrohen në burim të pafund komedie.

10. The White Lotus

Sezoni i tretë i satirës së Mike White e çoi grupin problematik në një retreat në Tajlandë, duke gjeneruar debat të madh online. Disa e quajtën të ngadaltë, por të tjerë e vlerësuan si dramë të bazuar te personazhet. Me kast perfekt, spikatën Parker Posey, Carrie Coon, Aimee Lou Wood dhe Patrick Schwarzenegger.

11. Adolescence

Drama britanike për një 13-vjeçar të akuzuar për vrasje ka ndezur debat publik dhe është shfaqur edhe në shkolla. Stephen Graham luan babanë e shokuar, Owen Cooper djalin e akuzuar dhe Ashley Waters një detektiv. Çdo episod xhirohet në kohë reale, duke shtuar intensitet.

12. Severance

Sezoni i dytë i dramës distopike të Lumon solli sukses të madh, pavarësisht regjisë surreale dhe ngadalësisë në gjysmën e dytë. Britt Lower shkëlqen, ndërsa vizualet mbeten mbresëlënëse.

13. The Pitt

Drama mjekësore në Pittsburgh fokusohet te stresi psikologjik i mjekëve. Noah Wyle luan dr Robbie, i traumatizuar pas Covid-it. Çdo episod zhvillohet në kohë reale gjatë një turni 15-orësh.

14. Paradise

Thriller politik që përmbyset nga një kthesë në fund të episodit të parë. Sterling K Brown luan truprojën e presidentit të akuzuar për vrasje. Shquhen edhe Julianne Nicholson dhe skenarët e ngjeshur.

15. Wolf Hall: The Mirror and the Light

Mbyllja e trilogjisë së Hilary Mantel sjell luftën për pushtet mes Thomas Cromwell (Mark Rylance) dhe mbretit Henry VIII (Damian Lewis), me aktualitet politik edhe sot.

16. The Narrow Road to the Deep North

Jacob Elordi luan kirurgun ushtarak Dorrigo Evans në tre periudha kohore, nga stërvitja, tek kampi japonez në xhungël, deri tek jeta si veteran. Një portret i fuqishëm i luftës dhe pasionit.

17. Your Friends and Neighbors

Jon Hamm luan një menaxher fondesh që humb punën dhe kthehet në hajdut luksoz për të mbajtur statusin. Një përzierje e shkëlqyer humorit dhe dramës për krizën e moshës së mesme.

18. Big Boys

Komedia-dramë britanike për miqësinë mes Jack-ut dhe Dan-it përfundon me sezonin më të fuqishëm, duke trajtuar depresionin dhe shëndetin mendor me humor dhe ndjenjë. / BBC - Syri.net