Nënpresidenti amerikan, JD Vance: SHBA-ja s’e ka në plan ta njohë shtetin palestinez
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka thënë sot se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndër mend ta njohin shtetin palestinez.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para bisedimeve, me sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, në Londër, Vance tha se nuk e di se çfarë do të nënkuptonte një njohje e tillë e shtetit palestinez, “duke marrë parasysh mungesën e një qeverie funksionale atje”.
Të dy liderët thanë se agjenda e bisedimeve përfshin ekonominë globale, luftën midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia.
Hamas është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
I pyetur nëse Trump ishte njoftuar paraprakisht për synimin e Izraelit për ta pushtuar Qytetin e Gazës, Vance tha se nuk do të futet në biseda të tilla.
“Nëse do të ishte e lehtë garantimi i paqes në atë rajon të botës, do të kishte ndodhur tashmë”, tha ai.
SHBA-ja dhe Britania, të cilat kanë lidhje historikisht të ngushta të njohura si “marrëdhënia të veçanta”, kanë mospajtime për mënyrën se si duhet t’i jepet fund luftës në Gazë.
Vance tha se të dyja palët duan ta “zgjidhnin problemin” e krizës në Gazë, por “mund të kenë disa mospajtime për mënyrën se si saktësisht ta arrijnë këtë synim, dhe për këtë do të flasim sot”.
“Ka shumë synime të përbashkët këtu. Mendoj se ka disa mospajtime për mënyrën se si saktësisht t’i arrijmë këta synime të përbashkët, por ja që kjo është një situatë e vështirë”, tha ai.
Kanadaja Franca dhe Britania thanë muajin e kaluar se do ta njohin shtetin palestinez.