SYRI TV/ Shqipëria e fundit në Europë për fuqi blerëse, vendi ynë i fundit në rajon për pagën minimale
Shqipëria renditet e fundit në kontinentin europian sa i përket fuqisë blerëse. EUROSTAT ka publikuar së fundmi raportin për pagat minimale në Europë, ku të dhënat për Shqipërinë janë alarmante. Vendi ynë renditet i fundit në rajon për pagën minimale, e cila është vetëm 408 euro. Megjithëse Shqipëria lë pas Moldavinë dhe Ukrainën sa i përket pagës minimale, kur vjen puna te fuqia blerëse, renditemi të fundit në Europë.
Shqipëria ka fuqinë blerëse më të ulët në Europë dhe renditet po ashtu në vendin e fundit në rajon sa i përket pagës minimale. Në një raport të fundit të publikuar nga EUROSTAT, duke u krahasuar tek pagat e muajit korrik dhe përllogaritjet e fuqisë blerëse, vendi ynë vijon të qëndrojë në vendet e fundit sa i përket pagës dhe fuqisë blerëse. Sipas Eurostat, që nga korriku 2025, paga minimale mujore para zbritjeve në BE varionte nga 551 € në Bullgari, në 2,704 € në Luksemburg. Nëse përfshihen edhe vendet kandidate për në BE, Ukraina ka pagën minimale më të ulët, me vetëm 164 euro në muaj, duke u ndjekur nga Moldavia me 285 euro dhe më pas vjen Shqipëria me 408 euro. Pesë vende anëtare të BE-së, Italia, Danimarka, Suedia, Austria dhe Finlanda, nuk kanë fare një pagë minimale kombëtare.
Kur pagat minimale krahasohen jo vetëm në vlerë nominale, por edhe sipas fuqisë blerëse, diferencat mes vendeve europiane zvogëlohen ndjeshëm. Në këtë përllogaritje, situata e Shqipërisë bëhet edhe më alarmante, pasi vendi ynë zbret në vendin e fundit në Europë. Nëse krahasojmë vendet brenda bllokut, Luksemburgu ruan pozicionin e parë me rreth 2,035 PPS, ndërsa vendi me fuqinë blerëse më të ulët është Estonia, me 886 PPS. Nga vendet kandidate për anëtarësim në BE, Shqipëria ka rezultuar me fuqinë blerëse më të ulët për pagën minimale, vetëm 566 PPS.
Në pagat minimale bruto në Europë, ekzistojnë dallime të mëdha në pagat minimale në mbarë Europën, veçanërisht midis vendeve të Evropës Perëndimore dhe Lindore. Një njësi PPS, sipas Eurostat, përfaqëson një vlerë që teorikisht blen të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në të gjitha vendet. Kur pagat minimale rregullohen sipas fuqisë blerëse, hendeku midis vendeve ngushtohet ndjeshëm. Ndërsa vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit shpesh renditen në fund sipas vlerës në euro, performanca e tyre përmirësohet ndjeshëm kur krahasimi bëhet sipas fuqisë blerëse PPS.
Duke u ndalur tek rajoni, për pagën më të lartë minimale kryeson Mali Zi me 670 euro, e ndjekur nga Serbia me 618 euro, dhe Maqedonia e Veriut me 584 euro. Ndërkohë, sa i përket fuqisë blerëse, është Maqedonia e Veriut që kryeson me 1,069 PPS, e ndjekur nga Mali i Zi me 1,058 PPS, dhe Serbia me 917 PPS, që lë pas Shqipërinë.