Pasi i përdori në farsën e 11 Majit, Rama i tradhton bashkëpunëtorët e botës së krimit, u lëshon SPAK në shpinë
Pasi i përdori për të blerë farsën e 11 majit, me para apo duke u bërë presion qytetarëve që të votojnë atë, Edi Rama tani u ka lëshuar në shpinë SPAK-un, bandave kriminale të Durrësit, Shijakut dhe Elbasanit.
Kjo po ndodh dhe me klanin e Troplinëve në Durrës dhe Çopjat në Elbasan, të cilët kanë kontribuar shumë në fushatën e farsës elektorale të 11 Majit në Shqipëri. Pasi i siguruan disa deputetë, Rama duke përdorur Altin Dumanin, vendosi ekzekutimin e urdhër-arresteve që ishin lëshuar që para ditës së zgjedhjeve, por që ishin mbajtur në xhep nga kreu i SPAK.
Kështu sot, janë goditur të dy grupet nga SPAK, duke u treguar se Rama i kishte tradhtuar, pasi siguroi edhe një mandat tjetër, me bandat dhe krimin në krah.
Juxhin Drazhi, një nga anëtarët e njohur të klanit të Troplinëve në Durrës dhe shok i Visit të Pojës dhe Ervis Doçit, është arrestuar ditën e sotme në Spanjë. Drazhi, me origjinë nga Shijaku, përbën një prej figurave kyçe në rrjetet kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj.
Në një tjetër zhvillim, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur në kërkim Fadil Ballën, i njohur si Julian Balla, gjithashtu nga Shijaku. Ai dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Çopjave nga Elbasani, që merrej me trafikun e kokainës në Europë, duke e kthyer Shqipërinë në një nyje kyçe për trafikun e drogës drejt vendeve evropiane.
Sipas shumë akuzave dhe dëshmi të publikuara në media nga opozita, Partia Socialiste i ka përdorur këto grupe kriminale në Durrës dhe në Elbasan, si një mjet për të financuar fushatat elektorale dhe për të ushtruar presione ndaj zgjedhësve që të votonin kandidatët e tyre.
Banditët dhe grupet kriminale, ndihmojnë në blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve dhe në këmbim të mbështetjes politike, ata kërkojnë që të jenë të imunizuar nga ndjekjet penale.
Por pas përfundimit të këtyre punëve të ‘pastra’, këta individë përballen me masa të ashpra nga shteti, duke përfshirë arrestime masive dhe konfiskime të pronave të tyre. Ky model tregon një lidhje të dyfishtë, ku politika shfrytëzon krimin për të arritur qëllimet e saj, ndërsa më pas përdor institucionet e drejtësisë për të eliminuar ata kur nuk i nevojiten më.
Përdorimi i grupeve kriminale nga Edi Rama që prej zgjedhjeve të vitit 2017 dhe në vazhdim deri më sot, është një problem thelbësor për demokracinë në Shqipëri. Por deri më tani drejtësia e kapur nga Rama dhe prokuroria speciale SPAK nuk ka bërë asgjë që të shkëpusë këtë lidhje mes klaneve kriminale dhe qeverisë së Edi Ramës.