Shkëndija fiton me goleadë ndaj Shkupit, gjen golin edhe Zejnullai

Shkëndija nisi mbrojtjen e titullit kampion me një fitore të thellë 5-1 ndaj Shkupit në ndeshjen që hapi sezonin e ri futbollistik në Maqedoninë e Veriut. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë elektrizuese, ku kuqezinjtë dominuan prej fillimit e deri në fund, duke treguar një lojë cilësore dhe kontroll të plotë të takimit.

Golin e parë në ndeshje e shënoi Florent Ramadani në minutën e 8-të, ndërsa Shkupi barazoi në minutën e 14-të me një gol nga Hajvali. Megjithatë, në minutën e 17-të, skuadra bardhekaltër mbeti me një lojtar më pak për shkak të dy kartonëve të verdhë të marrë nga Rustemi. Kjo e penalizoi shumë ekipin e Shkupit, ndërsa Shkëndija përfitoi nga epërsia numerike dhe kontrolli i lojës.

Në minutën e 22-të, Arbin Zejnullai shënoi golin e dytë për Shkëndijën, duke i dhënë skuadrës avantazhin 2-1 që do të mbahej deri në pushimin e pjesës së parë. Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Beqiri tregoi dominim të plotë, duke shfrytëzuar edhe hyrjen në lojë të Krasniqit dhe Ibraimit. Ky i fundit ishte protagonist me dy gola në minutat e 70-të dhe 76-të, duke treguar edhe një herë pse konsiderohet golashënuesi më i mirë i kampionatit.

Në minutën e 82-të, Ibraimi asistoi për golin e pestë të Shkëndijës, të shënuar nga Liridon Latifi. Megjithëse Shkëndija pati edhe disa raste të tjera për të shënuar, portieri gjerman i Shkupit, Maximilian Grote, u dallua me disa ndërhyrje të mira.

Një moment i tensionuar në këtë ndeshje ishte largimi i tifozëve mysafirë të Shkupit, “Shvercerat”, në minutën e 60-të, si shenjë pakënaqësie ndaj drejtuesve të klubit. Ata lanë stadiumin duke lënë një mesazh të qartë kundër kryesisë së klubit: “Na besuat fjalë, na shitët mashtrime. Shkupi nuk ka vend për mashtrues.”

Pas kësaj fitoreje, Shkëndija do të përqendrohet në ndeshjen e kthimit në rrethin e tretë të Ligës së Kampionëve kundër Qarabag-ut në Baku, ndërsa Shkupin e presin sfida të mëdha për të stabilizuar skuadrën dhe për t’u rikthyer si një rival serioz në kampionat.