'Na donin të ekzekutuar politikisht!'/ Balliu: Nëse bini dakord që janë vjedhur, zgjedhjet s’mund të jenë humbur

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu në një intervistë të dhënë së fundmi ka deklaruar se përgjegjësia për humbjen në zgjedhje nuk mund t’i atribuohet opozitës në një situatë ku procesi zgjedhor është manipuluar.

'Nuk mund t’i vendosim faj opozitës për humbjen në zgjedhje kur kemi pasur vjedhje. Opozita nuk mund të bëjë edhe rolin e policit, edhe të prokurorit.

Nëse biem dakord që zgjedhjet janë vjedhur, si mund ta ketë fajin opozita? Kjo do të thotë se zgjedhjet nuk mund të jenë humbur', u shpreh Balliu, duke theksuar se brenda PD nuk ka fragmentarizim, por vetëm debate të brendshme.

Ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve të mos mbeten të ftohtë përballë kësaj situate, duke nënvizuar se po cënohen parimet demokratike dhe pluralizmi në vend. “Është esenciale që ndërkombëtarët të veprojnë dhe të flasin të vërtetën në bazë të fakteve. BE refuzon të japë fondet IPARD sepse mendon se zyrtarët këtu janë të korruptuar”, tha Balliu.

Deputeti demokrat pranoi se opozita ka pasur edhe gabime. Por gjatë intervistës në News 24 ai u shpreh: “Kërkuan të na ekzekutonin si opozitë”.