Popoviqi dënohet me gjobë dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten zyrtarin serb Igor Popoviq me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh.
Përveç gjobës, gjykata vendosi t’ia ndalojë Popoviqit, ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, hyrjen në Kosovë për një periudhë prej dy vjetësh, pasi ai pranoi fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë, raportoi “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë seancës dëgjimore të premten, Popoviq u pyet nga gjykatësi nëse ende qëndron pas marrëveshjes të arritur me Prokurorinë dhe ai e pohoi një gjë të tillë, duke shtuar se këtë vendim e ka marrë pa iu nënshtruar ndonjë presioni.
Prokurorja e rastit, Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, tha se marrëveshja është në përputhje me ligjin, kur ia propozoi gjykatës që Popoviq të dënohej me gjashtë muaj burgim dhe dy vjet dëbim nga Kosova.
Prokuroria e akuzoi ndihmësin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.
Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”. Ai ishte ndaluar po atë ditë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë.
Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik. /REL/