Arsenali 'blindon' talentin që ka hyrë në historinë e Premier League-s

Arsenali ka siguruar të ardhmen e një prej talentëve më premtues në futbollin anglez. Mesfushori 17-vjeçar Ethan Nwaneri, i lindur në vitin 2007, ka firmosur një kontratë të re pesëvjeçare që do ta mbajë të lidhur me klubin londinez deri në vitin 2029.

Nwaneri hyri në historinë e Premier League në shtator të vitit 2022, kur, në moshën vetëm 15-vjeçare, debutoi me fanellën e Arsenalit, duke u bërë lojtari më i ri që ka zbritur ndonjëherë në fushë në kampionatin anglez. Që prej atij momenti, zhvillimi i tij ka qenë i pandalshëm, si me klubin ashtu edhe me kombëtaren, ku tashmë është një element kyç i Anglisë U-21.

I emocionuar për arritjen e këtij momenti, Nwaneri u shpreh për faqen zyrtare të klubit:

"Firmosja e kësaj kontrate do të thotë gjithçka për mua. Ky është sezoni im i parë i plotë me ekipin e parë dhe ndiej se jam pjesë e tij brenda dhe jashtë fushës. Jam i entuziazmuar për atë që mund të jap dhe dua të ndihmoj klubin të fitojë trofe, duke sjellë gëzim dhe suksese. Këtu ndihem vërtet si në shtëpi."

Me këtë lëvizje, Arsenali tregon edhe një herë strategjinë e tij për të investuar dhe zhvilluar talentët e rinj, duke konfirmuar besimin në “linjën e gjelbër” që ka sjellë rezultate të dukshme vitet e fundit.