Nepali ofron ngjitje falas në 97 maja për të ulur turizmin masiv në Everest
Qeveria e Nepalit ka vendosur të lehtësojë presionin e madh turistik mbi malin Everest duke ofruar ngjitje falas në 97 maja të tjera të Himalajeve gjatë dy viteve të ardhshme. Sipas drejtorit të Departamentit të Turizmit, Himal Gautam, këto maja ndodhen kryesisht në rajonet perëndimore të Karnali dhe Sudurpaschim, me lartësi që variojnë nga 5.870 deri në 7.132 metra. Tri prej tyre, Api, Api Perëndimor dhe Saipal, kalojnë kuotën 7.000 metra, por kanë qenë shumë pak të vizituara: vetëm 68 alpinistë në dy vitet e fundit. Kostoja e lejeve për këto maja më parë varionte nga 175 deri në 500 dollarë.
Ky hap vjen pas viteve të akuzave dhe shqetësimeve për mbipopullimin e Everestit, ku pamjet e radhëve të gjata të alpinistëve në “shkallën Hillary” janë bërë simbol i turizmit ekstrem. Në vitin 2019, me anën tibetiane të mbyllur, u lëshuan mbi 1.000 leje dhe 885 persona arritën majën. Situata të ngjashme janë regjistruar edhe më herët, si në vitin 2012, kur 260 alpinistë u përpoqën të ngjiteshin në një ditë të vetme.
Masat e mëparshme, si kufizimi në 170 ngjitje në ditë dhe kërkesa për të provuar një ngjitje në një majë 7.000 metra para se të aplikosh për Everestin, nuk kanë mjaftuar për të shmangur tragjeditë. Në vitin 2024, shembja e një mase akulli në “shkallën Hillary” për shkak të peshës së madhe shkaktoi rënien e disa alpinistëve nga faqja Kangshung. Dy humbën jetën, ndërsa katër të tjerë u shpëtuan në momentet e fundit.
Problemi nuk qëndron vetëm te siguria. Çdo vit në Everest mbeten rreth 75 tonë mbeturina, përfshirë 1.000 kg në Kampin 4, në 8.000 metra lartësi, të pamundura për t’u hequr lehtësisht për shkak të kushteve ekstreme.
Vetëm këtë vit, nga ana nepaleze u dhanë 517 leje për të huaj dhe rreth 846 persona arritën majën. Agjencia Seven Summits Trek arriti të çonte 103 klientë në “kulmin e botës”. Me mbi 3.300 maja mbi 5.500 metra, Nepali shpreson që me këtë ofertë të zgjerojë hartën e alpinistëve drejt destinacioneve më pak të eksploruara dhe të ulë presionin mbi Everestin.