Rriten rastet e helmimeve/ Ekspertja e ushqimit: Janë regjistruar rreth 30 mijë raste, situata shqetësuese

Në një intervistë të dhënë për Syri TV me moderimin e Edvin Parrucës, ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani, ka folur në lidhje me shqetësimin për rritjen e rasteve të helmimeve ushqimore dhe infeksioneve nga patogjenët, të cilat janë në rritje gjatë periudhës së temperaturave të larta.

Ajo theksoi se shumë prej këtyre rasteve mbeten të paidentifikuara, duke rritur rrezikun për shëndetin publik të popullatës.

“Janë rritur rastet me salmonelë, sepse temperaturat e larta e favorizojnë këtë lloj bakteri. Këtë muaj do të jetë situatë goxha më e rënduar për faktin se temperaturat e larta favorizojnë shtimin e patogjenëve dhe prekjen nga patogjenë të ndryshëm. Problemi është se 98% e të gjitha rasteve që kishin shfaqur si diarre, të vjella, këto ishin të paidentifikuara.

Ishin si rezultat i një bakterie, ishin virale dhe vinin si rezultat i prekjes nga një parazit apo ishin thjesht toksike. Janë rreth 30 mijë raste, që për popullsinë që ne kemi janë shumë. Nga gati 30 mijë raste, vetëm 552 raste të identifikuara. Ky është shqetësim shumë i madh për të gjithë, sepse ti nuk je në gjendje pa gjetur shkakun. Kjo gjë do të ketë probleme edhe në përcaktimin e diagnozës edhe në trajtimin e pacientit më vonë.” – tha Vuksani.