Galatasaray nuk heq dorë nga Icardi, gati rinovimi deri në vitin 2028, pavarësisht Osimhen-it
Mauro Icardi mbetet zemra e sulmit të Galatasaray-t dhe idhulli i tifozëve verdhekuq. Pavarësisht afrimit të bujshëm të Victor Osimhen-it, klubi turk nuk ka ndër mend të lëkundet nga besimi te sulmuesi argjentinas dhe është gati t’i ofrojë një rinovim kontrate deri në vitin 2028. Aktualisht, marrëveshja e tij përfundon në qershor 2026.
Sipas “Milliyet”, drejtuesit e Galatasaray-t planifikojnë të ruajnë të njëjtat kushte financiare që parashikon kontrata aktuale: 6 milionë euro neto në sezon, pa llogaritur të ardhurat nga sponsorët personalë. Një shifër që tregon qartë rëndësinë dhe statusin e Icardit në klub.
Që prej mbërritjes në Stamboll në vitin 2022, Icardi ka fituar shpejt zemrat e tifozëve me golat vendimtarë dhe lidershipin e tij në fushë. Në dy sezone ka qenë protagonist si në kampionat, ashtu edhe në Europë, duke kontribuar ndjeshëm në sukseset e fundit të skuadrës. Edhe pse sezonin e kaluar u pengua nga një dëmtim i rëndë, që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë fushës, roli i tij si lider nuk është vënë kurrë në dyshim.
Me synimin për të mbrojtur titullin në Super Lig dhe për të qenë konkurrues në arenën ndërkombëtare, Galatasaray e sheh Icardin si një element të pazëvendësueshëm. Zyrtarizimi i marrëveshjes së re pritet të ndodhë brenda pak javësh, duke dhënë një mesazh të qartë: vazhdimësi dhe ambicie maksimale.