Topi i Artë 2025/ Fundi i epokës Messi–Ronaldo, Dembélé favorit mes arsyes dhe surprizave të mundshme
Epoka e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos ka marrë fund zyrtarisht. Pas viteve të dominimit të tyre absolut, shpeshherë edhe duke lënë në hije lojtarë që mund ta kishin merituar më shumë trofeun, Topi i Artë duket se ka hyrë në një fazë të re, ku fiton arsyeja dhe jo gjithmonë miti. Rasti i Andres Iniestës dhe Wesley Sneijderit në vitin 2010 mbetet shembull i qartë i padrejtësive të së kaluarës, ashtu si edhe zhgënjimi i Lautaro Martinez-it vitin e shkuar, kur u rendit vetëm i shtati.
Viti i kaluar e konfirmoi ndryshimin e prirjes: në mungesë të një “ylli polar” që dominon ekipin, çmimi shkon për simbolin e skuadrës më të fortë. Kështu ndodhi me Rodrin te Manchester City, një regjisor i vlerësuar nga trajnerë e analistë, por pa statusin mitik të emrave si Cruyff, Ronaldinho, Messi apo Ronaldo.
Në këtë frymë, gjithçka tregon se Ousmane Dembélé është favorit për Topin e Artë 2025. Sulmuesi francez ka qenë elementi kyç i Paris Saint-Germain të Luis Enrique-s, një makinë perfekte gjatë gjithë sezonit. Ai ka shënuar shumë gola, ka dribluar pa fund dhe ka treguar rritje të madhe taktike e teknike. Megjithatë, pyetja mbetet: a ka ai forcën e mitit dhe ëndrrës që përfaqëson “më i miri në botë”?
Dy skenarë të tjerë mund të sjellin surprizë të madhe dhe të merituar:
Lamine Yamal, adoleshenti i Barcelonës, që po thyen rekorde me shpejtësi marramendëse. Edhe pse ende i mitur, ai ka treguar se mund të jetë trashëgimtari i kurorës së futbollit botëror. Magjia e tij në fushë dhe statusi i idhullit në formim e bëjnë një kandidat që ndez imagjinatën.
Gianluigi Donnarumma, portieri më i mirë në botë për momentin, vendimtar në ndeshjet më të rëndësishme. Edhe pse as Buffon nuk e fitoi kurrë Topin e Artë, historia mund të ndryshojë nëse juria vendos të shpërblejë rolin vendimtar të një ‘gardiani’ në sukseset e ekipit.
Topi i Artë 2025, më shumë se kurrë, duket i ndarë mes arsyes dhe emocionit, mes lojtarit që mishëron dominimin e skuadrës dhe atij që ndez ëndrrat e tifozëve.