Paxton sulmon organizatën e mbështetur nga Sorosi për financim të demokratëve të Teksasit që janë larguar nga shteti
Prokurori i Përgjithshëm republikan i Teksasit, Ken Paxton, tha të enjten se po heton nëse një komitet politik i demokratëve (PAC), i financuar gjerësisht nga miliarderi dhe donatori i madh George Soros, po u jep në mënyrë të paligjshme ryshfet demokratëve të Teksasit që u larguan nga shteti për të prishur kuorumin, si përgjigje ndaj përpjekjeve të republikanëve për rishpërndarjen e zonave elektorale.
Ky njoftim erdhi një ditë pasi Paxton hapi një hetim të ngjashëm ndaj PAC-ut Powered by People, të ish-deputetit demokrat të Teksasit, Beto O’Rourke. Prokurori i përgjithshëm nisi hetimet pas raportimeve se grupet demokrate po mbulonin shpenzimet e ligjvënësve ndërsa ata ndodheshin jashtë shtetit.
Texas Majority po mbledh aktivisht fonde për ligjvënësit, në bashkëpunim me grupe të tjera, përfshirë Powered by People. Sipas zyrës së Paxton-it, Texas Majority PAC është themeluar nga ish-anëtarë të stafit të O’Rourke.
“Nëse ligjvënësit e Teksasit po i nënshtrohen fondit të fshehtë të Soros në vend të vullnetit të votuesve, teksasianët meritojnë ta dinë. Marrja e pagesave nën dorë për të braktisur detyrat legjislative është ryshfet,” tha Paxton në një deklaratë.
“Veprimet e Texas Majority PAC duket se tregojnë se ai mund të jetë duke përdorur burimet e tij të financuara nga Soros për të shkelur ligjin dhe për të financuar braktisjen e paligjshme të detyrës publike. Nëse kjo rezulton e vërtetë nga ky hetim, çmimi për t’u paguar do të jetë i rëndë,” shtoi ai.
Nëse ligjvënësit e larguar pranojnë kontributet politike, kjo mund të konsiderohet ryshfet pasi mund t’i nxisë ata të mos kthehen në sesionin e posaçëm të legjislaturës së Teksasit. Në Teksas, ryshfeti është krim i shkallës së dytë, i dënueshëm me deri në 20 vjet burg dhe një gjobë maksimale prej 10 mijë dollarësh.
Që nga e diela, ligjvënësit kanë munguar dhe janë urdhëruar të kthehen në Kapitolin e Teksasit deri të premten. Përndryshe, ata mund të arrestohen.
Të enjten, Paxton veproi për të zbatuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Dhoma e Përfaqësuesve e Teksasit, e kontrolluar nga republikanët, më herët gjatë javës.
“Kryetari Burrows menjëherë lëshoi urdhra për arrestimin e demokratëve të larguar nga Teksasi, braktisën zgjedhësit e tyre dhe hoqën dorë nga detyrat e tyre legjislative,” tha Paxton.
“Ne po ndjekim çdo mjet ligjor në dispozicionin tonë për t’i mbajtur këta ligjvënës rebelë përgjegjës. Teksasi meriton përfaqësues që bëjnë punën e tyre, jo që ikin me urdhër të financuesve të tyre miliarderë. Nëse ka një gjë që teksanët nuk e durojnë më shumë se humbësit, janë frikacakët,” shtoi ai.
Senatori republikan i Teksasit, John Cornyn, njoftoi të enjten se FBI është e gatshme të ndihmojë forcat e rendit të Teksasit në këtë përpjekje. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, miratoi kërkesën e tij për përfshirjen e zbatimit federal të ligjit në gjetjen dhe arrestimin e ligjvënësve që mungojnë nga Dhoma e Përfaqësuesve e Teksasit.
Ky veprim është një formë proteste për demokratët, të cilët kundërshtojnë përpjekjet e republikanëve për të riformatuar hartën elektorale të shtetit me synimin për të fituar më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve përpara zgjedhjeve të afatmesëm të vitit 2026. / Përgatitur nga Syri.net