Rama, përmbytjet dhe flakët e plehrave, tre dimensionet e Vlorës së plaçkitur nga ai!
Nga Petrit Vasili
Faktet dhe realiteti janë vërtet të pamëshirshme me demagogjinë dhe propagandën e trashë të Ramës.
Plehrat e Vlorës janë në flakë në kulmin e sezonit turistik, të atij sezoni që edhe kështu është mjaft i shkurtër.
Tymi ka mbuluar Vlorën dhe kjo ndodh çdo vit në korrik dhe në gusht.
Rama me bujërdhi e sokëllima urdhëroi dorëheqje drejtoresh të Bashkisë së Vlorës dhe një tufë patronazhistësh u larguan sepse medemek nuk kishin punuar mirë.
Rama vuri diagnozën dhe gjeti edhe ilaçin e Vlorës, që është një qytet i pushtuar nga një rrëmujë e vërtetë.
Por sapo fryma e re e ndryshimit erdhi, Vlora u përmbyt sërish për faqe të zezë me gjysmë ore shi.
Sapo fryma e re e ndryshimit erdhi, plehrat morën sërish flakë dhe tymi e era e qelbur mbuloi Vlorën.
Arsyeja është e thjeshtë. Batërdia korruptive në Vlorë ka derdhur mijëra tonelata beton, por jo infrastrukturë normale për një qytet port turistik me kaq rëndësi të madhe për bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë.
Ky korrupsion zgjat egërsisht me vite dhe kryedeputeti i Vlorës, Rama, që nga viti 2013 është ideatori i betonimit dhe zhbërjes së pandalshme të Vlorës, që sot ofron vetëm kaos dhe vuajtje për qytetarët dhe turistët.
Natyra e Vlorës vetëm ka marrë goditje të njëpasnjëshme nga dora e vetë Ramës si kryetari de facto i Bashkisë së Vlorës, që me arrogancë ka urdhëruar veprime njëri më shkatërrues se tjetri, duke filluar me betonin e Lungomares, aeroportin, anijet që do prodhonin energji, lejet e ndërtimit pa fund etj. etj.
Ndaj historia e Ramës me dorëheqjet është historia e njeriut, që i ka qelbur duart deri në brryla me korrupsion dhe po kërkon t’i lajë me ca viktima patronazhistë të dorëhequr, që nuk i kishte njeri në referencën e të gjallëve dhe që nuk i pyeste fare askush.
Rama, përmbytjet dhe flaka e plehrave janë tre dimensionet e Vlorës së zhbërë, të plaçkitur dhe të grabitur nga ai dhe sejmenët e tij pa moral, si edhe e atyre që flasin e lëvdojnë si idiotë shkatërrimin e Vlorës.