SYRI TV/ Pensionistët në Elbasan në pamundësi për plazh, ditët e nxehta i kalojnë nën hijet e pemëve
SYRI TV
Ditët me temperatura të larta kanë detyruar shumë pensionistë në Elbasan, që të qëndrojnë nën hijet e pemëve të qytetit. Kjo duket se është e vetmja zgjidhje që ata kanë nga pamundësia ekonomike. Ata thonë se pensioni që marrin është i pamjaftueshëm dhe kostot e jetesës janë të larta. Lumi Shkumbin që vite më parë ishte një zonë pushimi për ta, në ditët e sotme mbetet veçse një kujtim për shkak të pamundësive ekonomike.
Ditët e nxehta për pensionistët në qytetin e Elbasanit mbeten një sfidë përballë sëmundjeve për shkak të të nxehtit dhe pamundësive ekonomike. E vetmja mundësi që ata kanë është qëndrimi poshtë pemëve, ndërsa ankohen se pensioni nuk u mjafton për nevojat më minimale, si blerja e ilaçeve apo dhe të ushqehen.
Ata shprehen se pushimet ne bregdet janë një luks. Nga kjo gjendje ata nuk munden as të kalojnë as disa orë ne lumin Shkumbin apo në Zaranikë, të cilat vite më parë kanë qenë traditë për moshën e tretë.
Shumica e tyre shprehen se janë të vetëm e se fëmijët i kanë larg. Ndaj shumicën e ditës zgjedhin ta kalojnë në hije apo lulishte.
Ata shprehen se këto temperatura janë shumë herë më të larta, krahasuar me vitet e mëparshme. Një tjetër problematikë për ta, mbetet mos funksionimi i çezmave ne sheshin e qytetit.