Zbulim tronditës në Spanjë: Prova të kanibalizmit njerëzor 5,700-vjeçar në shpellën El Mirador
Thellë në shpellen El Mirador, në veri të Spanjës, studiuesit kanë zbuluar prova të frikshme të një praktike të errët dhe brutale që hedh dritë mbi një faqe të panjohur të historisë sonë: kanibalizmin njerëzor të qëllimshëm, që daton rreth 5,700 vjet më parë.
Gjetjet përfshijnë mbetje skeletore të 11 individëve – përfshirë edhe fëmijë – që mbajnë shenja të qarta të dhunës dhe përdorimit pas vdekjes: prerje precize me mjete, djegie të kontrolluar, shenja gatimi dhe madje edhe kafshime njerëzore.
Sipas studiuesit Antonio Rodríguez-Hidalgo nga Instituti i Arkeologjisë-Mérida (IAM-CSIC), ky rast është shumë më tepër sesa një akt i mbijetesës në kushte ekstreme. “Kemi të bëjmë me një episod kanibalizmi të luftës, të motivuar nga dëshira për të shkatërruar një armik fizikisht dhe shpirtërisht,” shpjegon ai.
Një nga shembujt më tronditës është ai i një femuri fëmije, i shpuar me qëllim për të nxjerrë palcën. “Kjo tregon jo vetëm dhunë, por edhe njohuri dhe teknikë të sofistikuar,” theksojnë studiuesit.
Jo mbijetesë, por zhdukje armiqsh
Ekspertët hedhin poshtë mundësinë që kjo ishte një përgjigje ndaj urisë apo krizave klimatike. Të gjitha provat tregojnë se viktimat nuk i përkisnin të njëjtit komunitet me autorët e dhunës, por ishin “të huaj” ose armiq që duheshin zhdukur.
“Kur ha dikë nga grupi yt, zakonisht merr vetëm atë që të nevojitet për të mbijetuar. Por në këtë rast kemi një shfrytëzim të plotë dhe brutal të trupave – kjo ishte luftë,” thotë Rodríguez-Hidalgo.
Atapuerca, “kryeqyteti shkencor i kanibalizmit”
Shpella El Mirador ndodhet në kodrat e Atapuerca-s, një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në botë. Për më shumë se tre dekada, ajo ka qenë epiqendër e zbulimeve të lidhura me antropofaginë – që nga prova e parë e kanibalizmit të foshnjave rreth 850,000 vjet më parë, deri tek gjetjet më moderne.
Kjo trashëgimi e jashtëzakonshme është rezultat i punës së palodhur të ekipeve kërkimore të IPHES (Instituti Katalanas i Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Social), të udhëhequr nga Palmira Saladié dhe Antonio Rodríguez-Hidalgo.
Historia e një zone që ndryshoi shkencën
Zbulimet në Atapuerca nisën që në vitin 1863, por u morën seriozisht vetëm pas vitit 1976, kur arkeologu Emiliano Aguirre formoi një ekip kërkimor afatgjatë. Në vitin 1992, u zbuluan mbetje që i përkisnin Homo antecessor, një specie e lashtë njerëzore mbi 900,000 vjet të vjetër.
Në vitin 2000, UNESCO e shpalli Atapuerca-n Vend të Trashëgimisë Botërore, duke i dhënë njohje ndërkombëtare këtij rajoni si një pasuri unike për historinë e njerëzimit.
Një pasqyrë e errët, por e vlefshme
Zbulimi në El Mirador jo vetëm që sfidon imazhin e shoqërive neolitike si komunitete të qeta bujqësore, por edhe na kujton se dhuna ka qenë pjesë e historisë njerëzore – megjithatë jo e pashmangshme.
“Lufta nuk është e shkruar në gjenet tona. Ajo që na dallon është aftësia për ta shmangur atë – përmes politikës, diplomacisë, bashkëpunimit,” përfundon Rodríguez-Hidalgo.