Trump mund të ‘ndërhyjë personalisht’ për të ndalur Mamdanin të bëhet kryetar i bashkisë së Nju Jorkut

Donald Trump po shqyrton mundësinë që të përfshihet në garën për kryetar bashkie në Nju Jork, me qëllimin për të ndaluar fitoren e Zohran Mamdanit.

Sipas burimeve të brendshme, presidenti amerikan mësohet se ka folur me Andrew Cuomo-n pasi ky i fundit humbi në primaret demokrate ndaj kandidatit socialist Mamdani.

Trump gjithashtu thuhet se ka biseduar me një kongresist republikan dhe një biznesmen nga Nju Jorku për të kuptuar se kush ka më shumë shanse për të mposhtur kandidatin e ri që prin në garë, sipas një artikulli të New York Times.

Megjithëse humbi ndaj Mamdanit, disa javë më vonë Cuomo u rikthye në garë si kandidat i pavarur, duke e shtuar më tej një fushë tashmë të mbushur me kandidatë. Më vonë Trump e mohoi se kishte folur me Cuomo-n.

Eric Adams, kryetari aktual i bashkisë, gjithashtu po garon si i pavarur, ndërsa Curtis Sliwa është kandidati republikan.

Thuhet se Trump është informuar nga Mark Penn, një sondazhist që ka punuar për familjen Clinton, dhe Andrew Stein, ish-president i këshillit bashkiak të Nju Jorkut, të cilët të dy i kanë sugjeruar se Cuomo është kandidati më i mirë.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në mes të korrikut, Trump pyeti kongresistin republikan Mike Lawler, nga periferitë e Nju Jorkut, se kush do të kishte më shumë shanse në një garë një për një ndaj Mamdanit, tha një burim për The New York Times.

Sipas këtij burimi, Trump ka shprehur dyshime se Sliwa mund të fitojë dhe ka thënë se e pëlqen Adamsn dhe gjithmonë ka pasur marrëdhënie të mira me Cuomo-n.

Nuk është e qartë se si do të ndërhynte Trump nëse do të vendoste të përfshihej në garë, por aleatë të Adamsit dhe Cuomo-s shpresojnë se ai do të ndihmojë në bashkimin e mbështetjes rreth një kundërshtari të përbashkët ndaj Mamdanit.

Nëse të tre rivalët qëndrojnë në garë, votat mund të përçahen dhe t’i japin Mamdanit çelësat e rezidencës zyrtare të kryetarit të bashkisë, Gracie Mansion.

Premtimet e Mamdanit për ngrirjen e qirasë, hapjen e supermarketeve të menaxhuara nga bashkia dhe autobusë falas e ndihmuan të arrinte një fitore dërrmuese në primaret demokrate. Fushata e tij, e zhvilluar kryesisht në rrjetet sociale, ka tërhequr votuesit e zhgënjyer nga çmimet e papërballueshme.

Biseda e Trump-it me Cuomo-n thuhet se ka ndodhur në kohën kur ish-guvernatori i Nju Jorkut po vendoste nëse do të vazhdonte fushatën e tij.

Ndërsa disa republikanë e shohin Mamdanin si një figurë të majtë që mund të përdoret si armë politike në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, Trump thuhet se është i shqetësuar për politikat e kandidatit demokrat.

Trump, i lindur dhe rritur në Nju Jork dhe pronar i disa bizneseve në qytet, ka kritikuar publikisht Mamdanin.

Muajin e kaluar, Trump u zotua se nuk do të “lejonte që ky maniak komunist të shkatërronte Nju Jorkun”, duke thënë se ai ka “të gjitha levat” dhe “të gjitha kartat në dorë”.

Ai shtoi: “Do ta shpëtoj qytetin e Nju Jorkut dhe do ta bëj sërish ‘tërheqës’ dhe ‘të mrekullueshëm’, ashtu siç bëra me SHBA-në e dikurshme!”

Rich Azzopardi, zëdhënës i Cuomo-s, tha se Trump dhe Cuomo “nuk kanë folur prej kohësh”, por nuk specifikoi sa kohë kishte kaluar.

“Me sa di unë, ata nuk kanë diskutuar për garën,” tha Azzopardi.

Ndërkohë, Mamdani deklaroi: “Andrew Cuomo e ka kaluar karrierën e tij duke qeverisur për të fuqishmit dhe duke vënë interesat e veta mbi ato të njerëzve që ishte betuar t’i shërbente. Kjo nuk është vetëm një marrëveshje e errët pas dyerve të mbyllura nga një politikan cinik, është skualifikuese. Është tradhti.”

Ai shtoi: “Puna e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut nuk është të jetë një kloun për një mbret të vetëshpallur, por të mbrojë njerëzit e këtij qyteti.” / The Telegraph - Syri.net/