Portugalia shtrëngon rregullat për recetat e ilaçeve për humbje peshe për të parandaluar keqpërdorimin
Portugezët do të përballen me kufizime të reja për të marrë recetë për ilaçet e njohura për humbje peshe dhe sensorët e glukozës, pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për të kufizuar përshkrimin e tyre vetëm nga katër specialitete mjekësore. Masa synon të frenojë keqpërdorimin dhe mungesën në treg të barnave dhe pajisjeve të krijuara për trajtimin e diabetit dhe obezitetit.
Që nga kjo e premte, vetëm mjekët specialistë në endokrinologji dhe të ushqyerit, mjekësinë e brendshme, pediatri dhe mjekësi e përgjithshme dhe familjare do të kenë të drejtën të përshkruajnë ilaçet injektuese Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, të cilat njihen si agonistë të receptorit GLP-1. Po ashtu, vetëm ata mund të përshkruajnë sensorë të glukozës, për shkak të raportimeve të përdorimit të tyre nga persona jo-diabetikë, përfshirë sportistë, persona me ndikim në rrjetet sociale dhe madje edhe për përdorim te kafshët.
Këto ilaçe ndihmojnë në uljen e peshës duke imituar një hormon që shton ndjenjën e ngopjes, por kërkesa e lartë për to – veçanërisht për qëllime estetike – ka shkaktuar probleme në furnizim. Vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, qytetarët portugezë shpenzuan 21 milionë euro për këto barna, ndërsa rimbursimi i shtetit shkon deri në 90% për ilaçet dhe 85% për sensorët.
Sipas Ministrisë, rregullorja e re është përgjigje ndaj “aksesit dhe përdorimit të papërshtatshëm të këtyre teknologjive”, duke synuar “akses efektiv dhe adekuat për pacientët që realisht kanë nevojë”.
Shoqata Portugeze e Diabetologjisë mbështet nismën, por paralajmëron se ajo mund të jetë e pamjaftueshme. “Ka receta anormale dhe mungesë monitorimi”, tha presidenti João Raposo për agjencinë Lusa, duke theksuar se “shëndeti nuk mund t’i nënshtrohet ligjeve të tregut”.
Në sfondin e mungesës dhe rritjes së çmimeve, është shënuar gjithashtu një rritje e tregut të zi, që sipas ekspertëve rrit rrezikun e falsifikimeve dhe përdorimit të pasigurt të këtyre produkteve.
Portugalia bashkohet me një numër vendesh të tjera që po marrin masa për të kontrolluar qasjen në ilaçe që kanë kaluar nga trajtimi i sëmundjeve kronike në trend për humbje peshe – një treg global në rritje të shpejtë dhe me sfida serioze shëndetësore.