Egnatia e pathyeshme në Slloveni, Barazon pa gola ndaj Olimpija Ljubljanës në një ndeshje dramatike
Egnatia vazhdon të shkruajë historinë në arenën ndërkombëtare. Skuadra nga Rrogozhina ka arritur të marrë një barazim të artë 0-0 në transfertë ndaj Olimpija Ljubljanës në ndeshjen e parë të turit të tretë të Ligës së Konferencës, duke mbajtur të gjalla shpresat për kualifikim në ndeshjen e kthimit.
Takimi në Slloveni ishte tejet dramatik dhe plot emocione deri në sekondat e fundit. Në minutën e 67-të, vendasit fituan një penallti pas një kontakti mes Sotës dhe Tam, por ky i fundit gaboi nga pika e bardhë, duke e çuar topin jashtë. Në shtesë, gjyqtari dha një tjetër penallti për vendasit pas një faulli të Haimes, por pas ndërhyrjes së VAR u vendos që faulli ishte jashtë zone dhe penalltia u anulua.
Egnatia e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutën e 90-të Fangaj mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me një lojtar më pak. Pavarësisht inferioritetit numerik dhe presionit të vazhdueshëm të Olimpijës, skuadra shqiptare rezistoi me vendosmëri dhe ruajti rezultatin e barabartë.
Ky rezultat i jep Egnatias shpresë të madhe për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Shqipëri, ku skuadra do të ketë mundësinë të përfitojë nga mbështetja e tifozëve për të siguruar një kualifikim historik në play-off-in e Ligës së Konferencës.