Transportonte mercenarë kolumbianë, ushtria e Sudanit hedh në erë aeroplanin e Emirateve të Bashkuara Arabe
Forcat ajrore të Sudanit kanë shkatërruar një avion të Emirateve të Bashkuara Arabe që transportonte mercenarë kolumbianë, ndërsa po ulej në një aeroport në Darfur të kontrolluar nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), njoftoi televizioni shtetëror i lidhur me ushtrinë.
Sulmi vonë të mërkurën vrau të paktën 40 persona, raportoi transmetuesi shtetëror.
Aeroporti kohët e fundit është nënshtruar ndaj sulmeve të përsëritura ajrore nga ushtria sudaneze, e cila ka qenë në luftë me RSF- në që nga prilli i vitit 2023.
Një burim ushtarak, duke folur për agjencinë e lajmeve AFP në kushte anonimiteti, tha se avioni i Emirateve “u bombardua dhe u shkatërrua plotësisht” në aeroportin Nyala të Darfurit.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga RSF-ja.
AFP citoi një zyrtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili denoncoi ato që ai i konsideroi akuza të rreme se ushtria sudaneze kishte shkatërruar aeroplanin.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, tha se qeveria e tij po përpiqej të zbulonte se sa kolumbianë vdiqën në sulm.
«Do të shohim nëse mund t’i kthejmë trupat e tyre», shkroi ai në X.
Televizioni shtetëror tha se avioni ishte ngritur nga një bazë ajrore në Gjirin Persik, duke transportuar dhjetëra luftëtarë të huaj dhe pajisje ushtarake të destinuara për RSF-në, e cila kontrollon pothuajse të gjithë Darfurin.
Ushtria, e udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, ka akuzuar prej kohësh Emiratet e Bashkuara Arabe për furnizimin e RSF-së me armë të përparuara, përfshirë dronë, nëpërmjet Aeroportit Nyala.
Abu Dhabi i ka mohuar akuzat.
Imazhet satelitore të publikuara nga Laboratori i Kërkimeve Humanitare i Universitetit Yale, kanë treguar disa dronë me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Kinë në aeroportin e kryeqytetit të shtetit Darfur të Jugut.
Të hënën, qeveria e Sudanit, e lidhur me ushtrinë, akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe për rekrutimin dhe financimin e mercenarëve kolumbianë për të luftuar për RSF-në, duke pretenduar se ka dokumente që e vërtetojnë këtë.
Raportet për luftëtarë kolumbianë në Darfur, datojnë që nga fundi i vitit 2024 dhe janë konfirmuar nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara.
Kolumbia kërkon të ndalojë mercenarët
Këtë javë, Forcat e Përbashkëta – një koalicion pro-ushtarak në Darfur – raportuan më shumë se 80 mercenarë kolumbianë që luftojnë në anën e RSF-së në el-Fasher, kryeqyteti i fundit i shtetit të Darfurit që është ende nën kontrollin e ushtrisë.
Ushtria publikoi gjithashtu pamje video që tha se ishin të “mercenarëve të huaj që besohet se janë nga Kolumbia”, të cilat nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Në dhjetor, Sudani tha se Ministria e Jashtme e Kolumbisë kishte shprehur keqardhje “për pjesëmarrjen e disa qytetarëve të saj në luftë”.
Mercenarët kolumbianë, shumë ish-ushtarë dhe guerilas, janë shfaqur në konflikte të tjera globale, dhe më parë janë punësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për operacione në Jemen dhe Gjirin Persik.
Në postimin e tij të mërkurën, Petro tha se po ndërmerrte hapa për të ndaluar aktivitetin mercenar, duke e quajtur atë “një tregti njerëzish të shndërruar në mallra për t’u vrarë”.
Ndërsa luftimet vazhdojnë, mijëra familje të bllokuara në qytetin e rrethuar të el-Fasher janë në "rrezik të vdekjes nga uria", ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i OKB-së.
Një shpërthim i kolerës në shtetin e Darfurit të Veriut, kryeqyteti i të cilit është el-Fasher, e ka shtuar më tej mjerimin.
Lufta e Sudanit, tani në vitin e saj të tretë, ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhvendosur 13 milionë dhe e ka zhytur kombin në krizën më të keqe të urisë dhe zhvendosjes në botë./ Al Jazeera.