VIDEO/ Drita dorëzohet në fund, Steaua e Bukureshtit fiton me përmbysje në shtesë

Drita e Gjilanit ka dhuruar një paraqitje për t’u mbajtur mend në arenën ndërkombëtare, duke sfiduar emrin e madh të futbollit rumun, Steauan e Bukureshtit, në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Europa League. Edhe pse sfida u mbyll me fitoren 3-2 të vendasve, kampionët e Kosovës treguan karakter dhe guxim, duke shënuar dy gola në transfertë dhe duke bërë që rumunët ta ndiejnë fort peshën e sfidës. Ndeshja ishte e luftuar dhe me ritëm të lartë, me zhvillime dramatike deri në minutat shtesë.

Golat

Drita e Gjilanit befason që në start Steauan e Bukureshtit në transfertë në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Europa League-s. Në minutën e shtatë të ndeshjes, pas një aksioni model të kampionëve të Kosovës, Tusha e dërgon topin në rrjetë me një goditje të saktë  brenda zonës, 0-1.

Kujtojmë që Steaua e Bukureshtit u eliminua në raundin e   dytë të Championsit nga një tjetër skuadër shqiptare: Shkëndija e Tetovës.

Steaua Bukuresht – Drita 3-2

Nuk ndalen ‘intelektualët’ e Gjilanit, Manaj realizon golin e dytë në minutën e 50-të, i shërbyer nga Krasniqi. Gjithsesi, Steaua rikthehet në lojë me golin e Birligea-s në minutën e 64-t. Vetëm tetë minuta më vonë Graovac barazon rezultatin në 2-2.

Në minutën e katërt shtesë, Birligea shënon golin e dytë personal dhe të rezultatin përfundimtar 3-2.