I frymëzuar nga Baggio e Pirlo, Jashari prezantohet te Milani: Të luash me Modric-in, e jashtëzakonshme
Ardon Jashari, përforcimi më i ri i Milanit, ka dhënë intervistën e tij të parë për televizionin zyrtar të klubit kuqezi, duke shprehur emocionet e para pas transferimit në Itali.
“Është një ndjesi e jashtëzakonshme të jem këtu pas javësh të mbushura me pritje. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi historik. Dua ta ndihmoj skuadrën të rikthehet aty ku i takon, të fitojmë trofe dhe do të jap gjithçka për këtë qëllim. Interesi i Milanit më bëri menjëherë krenar. Ishte rruga që doja të ndiqja bashkë me familjen time, një ëndërr që e kam pasur që fëmijë. Ky klub ka qenë gjithmonë prezent në familjen time, në rrethin tim të miqve. Mund të them me bindje: ëndrra u bë realitet,” u shpreh mesfushori.
I pyetur për karakteristikat e tij në fushë, Jashari tha: “Mund të sjell një ndikim të madh fizikisht. Do të ndihmoj si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Do përpiqem të bëj pasimin final dhe të ndihmoj shokët të shënojnë.”
Jashari kujtoi edhe legjendat që e kanë frymëzuar: “Baggio dhe Pirlo janë dy nga lojtarët që kam dashur më shumë. Më pëlqente mënyra si luanin, teknikë dhe krijues, sidomos në pasimin final, është ajo që përpiqem të bëj edhe unë.”
Një tjetër moment emocionues për të do të jetë bashkëpunimi me Luka Modric-in: “Është fantastike ta nisësh këtë rrugëtim përkrah një lojtari të jashtëzakonshëm si ai. Ka fituar gjithçka dhe mund të më ndihmojë shumë. Dua të mësoj çdo gjë prej tij, brenda dhe jashtë fushe.”
Në fund, Jashari shpjegoi edhe pse zgjodhi fanellën me numrin 30: “E kam nisur me këtë numër në Zvicër. E zgjodha sepse gjithmonë kam dashur Messin, që e ka nisur me këtë numër. Më ka sjellë fat në Zvicër dhe në Belgjikë, shpresoj ta bëj historik edhe te Milani.”
Mesazhi i tij për tifozët kuqezi ishte i qartë: “Përshëndetje tifozë kuqezinj, le të fitojmë bashkë!”