Ndrangheta në Shqipëri e Spanjë, 25 të arrestuar. Kishin torturuar një shitës droge dhe e kishin filmuar

Një operacion i përbashkët i policisë italiane dhe asaj spanjolle, në bashkëpunim me Europol-in, ka rezultuar në një goditje të rëndë për organizatën mafioze italiane ‘Ndrangheta.

Gjatë aksionit të zhvilluar njëkohësisht në Itali, Spanjë dhe Shqipëri janë arrestuar 25 persona, të dyshuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sipas autoriteteve, ndër të arrestuarit ndodhet një shtetas italian, i dyshuar si organizator i trafikut të kokainës në qytetin e Romës, në bashkëpunim të ngushtë me një organizatë kriminale shqiptare dhe tre djemtë e tij. Dyshohet se kjo bandë shqiptare ishte përgjegjëse për importimin e lëndëve narkotike nga portet e Holandës dhe Spanjës, si dhe për transportin e tyre drejt Italisë.

Hetimet zbuluan se kokaina blihej në Amerikën e Jugut dhe transportohej me kontejnerë drejt porteve në Spanjë dhe Holandë. Pasi mbërrinte në Itali, droga shpërndahej në tregun e Romës. Sasia totale e sekuestruar përfshin më shumë se 1.000 kilogramë kokainë dhe 1.500 kilogramë hashash.

Prokuroria italiane ka bërë të ditur gjithashtu se katër shtetas italianë janë nën hetim për rrëmbimin dhe torturimin e një shitësi droge. Pamjet e torturës janë filmuar dhe më pas shpërndarë me qëllim frikësimin e anëtarëve të një bande rivale kriminale në Romë.

Europol ka konfirmuar se ka ofruar mbështetje analitike dhe financiare për hetuesit italianë dhe spanjollë gjatë këtij operacioni ndërkombëtar.

Ky operacion përbën një nga goditjet më të mëdha ndaj rrjeteve mafioze që bashkëpunojnë ndërkombëtarisht, duke përfshirë edhe elementë kriminalë nga Shqipëria në trafikun e drogës drejt BE-së.