Ahmeti: Ish-krerët e luftës po mbahen padrejtësisht në Hagë! Shqiptarët s’pranojnë që historia e tyre të shkruhet nga të huajt

Si një prej ish-themeluesve të UÇK-së, Ali Ahmeti, e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë, për ish krerët e UÇK-së.

Gjatë fjalës së tij në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së, kreu i BDE-së, Ali Ahmeti tha se kombi ynë historikisht ka qenë i bashkuar, kur i është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti.

Sipas Ahmetit, UÇK-ja është e përmbajtur ndaj ligjeve të luftës, duke shtuar se qëllimi i saj ka qenë i karakterit çlirimtar.

“UÇK-ja është e përmbajtur në ligjet e luftës. Është e përkushtuar për mbrojtjen e komuniteteve nga gjenocidi, qëllimi i UÇK-së ka qenë çlirimtar,” tha ai. 

“UÇK-ja asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm për çlirim,” u shpreh ai para mijëra qytetarëve të mbledhur.

Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, ka thënë se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, siç ka theskuar, me gjithë respektin për ta. Ai ka thënë se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës, përmes Gjykatës Speciale të Hagës. 

“UÇK ka bërë një luftë të drejtë. Luftë për liri. Luftë për çlirim nga pushtimi...Serbia me përkrahësit e saj ka bërë dhe po bën çdo gjë për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës, përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë. Gjykata u formua si o formua, u votua si u votua nga deputetë e Kuvendit të Kosovës. Ishte si ishte. Edhe ashtu siç u krijua nuk po e respekton të drejtën për gjykim të paanshëm të drejtë e brenda aftit të arsyeshëm”, tha Ahmeti.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut që gjenden në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës së vitit 2013.

"Shpifjet se UÇK ka trafikuar organe, dështuan", tha Ahmeti. “...Populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt me gjithë respektin për ta”, tha Ahmeti. 

Duke nënvizuar mbështetjen masive të shqiptarëve nga të gjitha trojet, Ahmeti tha se “shqiptarët nga Struga, Gostivari, Shkupi e Kumanova vërshuan rrugët për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, duke shtuar se nderi dhe dinjiteti i tyre po rrezikohet padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

Ai kujtoi se që nga viti 1994, UÇK-ja i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare dhe Konventës së Gjenevës, ndërsa lufta e saj kurrë nuk ka pasur karakter të ndonjë lufte kundër popujve të tjerë.

“Nuk është luftë tradhtare e as terroriste. UÇK-ja me udhëheqësit e saj solli ndryshime pozitive gjeostrategjike, duke sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan,” theksoi Ahmeti, duke kërkuar lirimin e çlirimtarëve që po përballen me akuza në Hagë.

Protesta u mbajt për të kundërshtuar padrejtësitë që, sipas OVL-UÇK-së dhe përkrahësve të saj, po u bëhen figurave kryesore të luftës për çlirim të Kosovës.