Protestë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, Gucati: Po e deformon historinë! Nuk ka gjykatë që fshin gjenocidin serb
Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati.
Gucati, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë.
“Po tenton të krijojënarrativë të rrejshme, se Kosova është çliruar nga kriminelet. Ndërkohë e vërteta është krejt tjetër. UÇK-ja, bashkë me NATO-n me në krye Amerikën e çliroi Kosovën nga kriminelët e Beogradit. Sot Gjykata në Hagë po gjykon aleatët e NATO-s, Hashimin, Kadri Verselin, bacën Jakup, Rexhep Selimin, Calin e Pjetër Shalën.
Po kriminalizohet UÇK. Ishte luftë për jetë e liri. Gjykata në Hagë më shumë i ka shërbyer Serbisë sesa drejtësisë. E vërteta nuk fshihet dot. Plagët janë të hapura e populli i Kosovës nuk harron....Shteti i Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë tradhtuar. Besimi jonë është tradhtuar. S’kemi më besim. Boll testuat durimin tonë. Boll e njollosët luftën e gjakun tonë. S’ka gjykatë që mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb mbi popullsinë shqiptare. Me këto gjykime politike padrejtësia është edhe më e rrezikshme se lufta, po bëni krim. Çdo drejtësi e devijuar është krim. Ju po bëni krim ' tha Gucati.
Folës në protestë janë edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së është përkrahur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është "dhjetë vjet e vonuar" pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër "pushtetit të atëhershëm".
Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.
Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur me ndihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.