Fondet e IPARD/ Panariti: 35 mln euro të BE janë abuzuar nga Shqipëria, rrezikojmë grantet edhe për dy vitet e ardhshme!

Ish ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shprehu shqetësimin, lidhur me ndërprerjen e fondeve të IPARD të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, të cilat i akordon çdo vit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

I ftuar në edicionin e pasdites me moderatorin Edvin Parruca, Panariti tha se sektori i bujqësisë mbahet kryesisht nga grantet e huaja, të cilat nxisin zhvillimin e bujqësisë së vendeve që janë në proces integrimi në BE.

Sipas tij ndryshe nga vendet e rajonit, të cilat çdo vit marrin fonde nga Bashkimi Evropian, e kundërta ndodh me Shqipërinë, së cilës i janë mohuar 112 milion euro për shkak të abuzimeve nga ana e zyrtarëve të vendit tonë.

Nga të dhënat e zyrës kundër korrupsionit në BE, OLAF, sipas Panaritit, rezulton se 35 milion euro apo 70 % e  fondeve të unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor janë abuzuar nga Shqipëria.

Edhe pse qeveria shqiptare ka vendosur që të financojë sektorin e bujqësisë përmes kreditimit nga bankat e nivelit të dytë, kjo për Panaritin nuk është zgjidhje, më shumë se sa propagandë.

Burimi thelbësor i financimit të bujqësisë janë fondet në formë granti, kryesisht nga BE, dhe ata merren nga vendet që janë në proces integrimi. Serbia merr çdo vit mbi 285 mln euro, ne kemi tashmë 2 vite që s’përfitojmë 112 mln euro që na takojnë. Edhe për 2 vitet e ardhshme mund të mos kemi nga fondet e BE. Bujqësia s’ka rrugë tjetër veçse të shkojë në një pikiatë të frikshme dhe kjo duket nga tkurrja e prodhimit vendas.

Nga investigimet paraprake të zyrës kundër korrupsionit në BE, OLAF, mendohet se janë 35 mln euro që janë të abuzuar nga autoritetet shqiptare, dhe janë 70% të fondeve të alokuara për vendet e BP, të abuzuara që vijnë vetëm nga Shqipëria.  Mendoni se sa e madhe është shkalla e abuzimit nga Shqipëria. 70 % e abuzimit vetëm me Shqipërinë. Ndaj BE ka ndërprerë fondet për vendin tonë dhe është dëm për fermerët shqiptarë.

Kreditimi i bujqësisë me fonde sovrane, me garancinë e bankave të nivelit të dytë për bujqësinë nuk është zgjidhje. Kjo nuk ka funksionuar, dhe është për të larguar vëmendjen, një shashkë nga drama e vërtetë për grantet dhe paratë e dhuruara nga BE për Shqipërinë. Bujqësia në BE nuk financohet me kreditim. Evropa është njëtrajtësisht e populluar në territorin e saj, kemi një popullim uniform në të gjithë territorin. Mbajtja e popullsisë në fshat dhe bujqësisë është element qendror.

Zbrazja e Shqipërisë rurale është e lidhur me degradimin e bujqësisë dhe mosmbështetjen e sektorit. Apo dhe mbështetjen e biznesit për prodhimin bujqësor. Shqipëria rurale është shkretuar. Dominohet nga mosha e 3 që s’është aktive. Hapësira rurale edhe po privohet nga aktiviteti prodhues dhe ekonomik. Oferta me prodhimin vendas është tkurrur në mënyrë të skajshme, është rrudhur oferta e prodhimit vendas, edhe pse ka kërkesë s’ka prodhim. Çmimet janë të lartë se mbahen nga monopolet. Është situatë që dëmton bujqësinë dhe Shqipërinë dhe e çon në degradim. Prodhimi kombëtar duhet të jetë shumë i domosdoshëm. 70% të nevojave duhet të krijohen nga prodhimi vendas, gjë që nuk ndodh.