SYRI TV/ Humbi jetën i burgosuri, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Besnik Koçiu u dërgua me vonesë në spital

Besnik Koçiu, i cili humbi jetën në 26 korrik në burgun 313, duhet të dërgohej menjëherë për trajtim mjekësor. Është ky përfundimi i hetimit të bërë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në lidhje me këtë çështje. Sipas KSHH, Besnik Koçiu ka qëndruar për 8 ditë në ambientet e paraburgimit “Jordan Misja”, ku ka pasur shqetësime të vazhdueshme shëndetësore. Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se ai është dërguar në QSUT në 25 korrik.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë një hetim në lidhje me ngjarjen e 26 korrikut të këtij viti, ku në ambientet e paraburgimit 313 humbi jetën i burgosuri Besnik Koçiu. Në raportin përfundimtar, Komiteti i Helsinikit thotë se Besnik Koçiu duhet të dërgohej menjëherë në spital për t’u trajtuar për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme që kishte shfaqur.

Nga monitorimi rezulton se shtetasi ka qëndruar i akomoduar në IEVP “Jordan Misja” për rreth 8 ditë, por pavarësisht kërkesave të tij të përsëritura për t’u dërguar në spital, një gjë e tillë nuk ishte realizuar për shkak se, sipas konstatimeve të personelit mjekësor, parametrat e tij ishin normalë dhe ishte rekomanduar kryerja e ekzaminimeve laboratorike të tij në vijim. KSHH ngre pikëpyetje për faktin që diagnozat komplekse të këtij shtetasi, si dhe vuajtjet e tij të vazhdueshme të konfirmuara edhe nga të paraburgosurit që ndanë dhomën me të, kërkonin një reagim të shpejtë për ekzaminim dhe trajtim të specializuar të tij menjëherë pas pranimit të tij në IEVP.

Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve që të bëjë verifikime të mëtejshme dhe objektive në lidhje me këtë ngjarje. Po ashtu, KSHH shpreh rezerva mbi politikën penale të ndjekur nga vendi jonë për masat ‘Arrest në burg’.