SYRI TV/ Berisha prova të reja për shtetin elektoral: 500 mln € tendera e investime elektorale
Lideri i opozitës Sali Berisha publikoi sot dokumentet dhe provat që faktojnë se Edi Rama dhe qeveria, në shkelje të ligjit dhe konventave ndërkombëtare, përdorën 500 milionë euro për tendera, aktivitete propagandistike dhe shpenzime bashkiake për të ndikuar tek qytetarët për zgjedhje. Berisha publikoi me data dhe pamje të gjithë tenderat dhe shpenzimet e kryera gjatë periudhës elektorale deri në ditën e heshtjes zgjedhore, ku vetëm për investime në periudhë zgjedhore janë akorduar 57 milionë euro. Edhe pse janë qartazi krime elektorale, kryedemokrati akuzoi Altin Dumanin dhe SPAK se janë bërë palë me Ramën për t’i amnistuar këto krime.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, solli prova të reja të përdorimit të shtetit elektoral nga Edi Rama për kapjen e zgjedhjeve të 11 majit. Nga selia blu, Berisha publikoi dokumente që faktojnë sesi qeveria përdori 500 mln euro për tendera, inagurime, aktivitete të ndaluara dhe shpenzime bashkiake, për të ndikuar qytetarët në zgjedhje, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe konventave ndërkombëtare.
Teksa listoi tenderat dhe shpenzimet e kryera gjatë periudhës të ndaluar 4 muaj para zgjedhjeve dhe deri në ditën e heshtjes zgjedhore, ku vetëm investime bashkiake janë akorduar 57 mln euro, Berisha akuzoi si më abuzuesit kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demoka, dhe atë të Durrësit, Emiriona Sako, duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra.
Akuza të forta Berisha hodhi edhe ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, i cili, sipas tij, u bë palë me Edi Ramën, duke amnistuar krimet zgjedhore.
Teksa bëri ekspozimin mbi 4500 aktiviteteve të ndaluara të zhvilluara 4 muaj para zgjedhjeve, të cilat opozita i ka denoncuar në KQZ dhe i ka kallëzuar në SPAK, por që, siç theksoi Berisha, kanë kaluar në heshtje. Përballë kësaj situate, ai premtoi se opozita dhe qytetarët do të krijojnë një qeveri që do të përgatisë zgjedhjet për të ndaluar ndikimet e jashtëligjshme.