Barcelona pezullon Ter Stegen-in si kapiten, Araujo merr komandën

Situatë e tensionuar në radhët e Barcelonës. Klubi katalanas ka vendosur ta pezullojë përkohësisht Marc-André ter Stegen-in nga detyra e kapitenit të skuadrës së parë, për shkak të një konflikti që ka shpërthyer mes portierit gjerman dhe drejtuesve ‘blaugrana’.

Sipas një komunikate zyrtare, pezullimi vjen pas hapjes së një procedure disiplinore ndaj Ter Stegen-it, i cili ka refuzuar të firmosë autorizimin për t’i dërguar La Liga-s raportin mjekësor të operacionit të fundit që ka kryer në shpinë.

Klubi thekson se ky është një vendim i marrë në mënyrë konsensuale mes bordit drejtues, stafit teknik dhe drejtuesve sportivë.

“FC Barcelona njofton se, si pasojë e hapjes së një procedure disiplinore ndaj lojtarit Marc-André ter Stegen, dhe deri në përfundimin e këtij procesi, klubi, në marrëveshje me Drejtorinë Sportive dhe stafin teknik, ka vendosur t’i heqë përkohësisht detyrën e kapitenit të ekipit të parë të futbollit,” thuhet në deklaratë.

Në këtë periudhë, detyrën e kapitenit do ta marrë Ronald Araujo, i cili deri tani ka mbajtur rolin e zëvendëskapitenit.

Sipas burimeve të ndryshme, drejtuesit e Barcelonës janë të pakënaqur me qëndrimin e Ter Stegen-it, pasi mendojnë se refuzimi i tij po pengon klubin të regjistrojë lojtarë të rinj dhe po dëmton procesin e përforcimeve gjatë merkatos.

Për të shmangur tensionet në sy të publikut, Barcelona ka vepruar shpejt: të dielën, në ndeshjen tradicionale të "Gamper", është zakoni që kapiteni t’i drejtohet tifozëve para fillimit të takimit. Në kushtet aktuale, do të jetë Ronald Araujo ai që do të mbajë fjalën, duke zëvendësuar Ter Stegen-in në këtë rol simbolik.

Në javët në vijim, nuk përjashtohet një votim i ri për të zgjedhur kapitenin e ri të ekipit. Nëse marrëdhënia mes portierit dhe klubit nuk përmirësohet, Ter Stegen vështirë se do të jetë sërish një ndër emrat e preferuar për të përfaqësuar skuadrën përballë drejtuesve.