Zyrtarët: Zjarri i madh në Francën jugore u shkaktua nga thatësira dhe ndryshimet klimatike
Evropa Jugore po digjet këtë verë nën ndikimin e temperaturave ekstreme dhe thatësirës së tejzgjatur. Në jug të Francës, një zjarr masiv është përhapur me shpejtësi duke djegur mbi 16,000 hektarë tokë – një sipërfaqe më e madhe se vetë Parisi – dhe është bërë zjarri më i madh në vend që nga viti 1949.
Zjarri, që nisi të martën pasdite pranë fshatit Ribaute në rajonin Aude, pranë kufirit me Spanjën, ka përfshirë një territor të gjerë përgjatë Mesdheut dhe ka marrë jetën e një personi. Kryeministri francez François Bayrou e përshkroi situatën si një “katastrofë të një shkalle të paparë”, ndërsa Ministrja e Tranzicionit Ekologjik, Agnès Pannier-Runacher, e lidhur drejtpërdrejt me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe thatësirës ekstreme.
Në vetëm 12 orët e para, flakët përfshinë 11,000 hektarë, ndërsa brenda 24 orëve, shkatërrimi barazoi me atë që Franca zakonisht përjeton nga zjarret në të gjithë territorin e saj për një vit të tërë.
Pamjet satelitore të publikuara nga Météo-France tregojnë se reja e tymit është e dukshme nga hapësira. Autoritetet njoftojnë se përhapja e flakëve është nxitur nga erërat e forta mbi 40 km/h dhe moti jashtëzakonisht i nxehtë, me temperatura që po i afrohen 40°C.
Shërbimi Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave në Francë tha se ky është zjarri më i madh që nga krijimi i bazës së të dhënave kombëtare në vitin 2006. Sipas zyrtarëve, moti i thatë dhe mungesa e reshjeve kanë krijuar kushte tepër të favorshme për përhapjen e flakëve.
Rajoni i Aude është nën një krizë thatësire që nga 1 gushti dhe ka vendosur kufizime në përdorimin e ujit. Në rajonet përreth, si Pyrénées-Orientales, reshjet kanë rënë me 60% që nga viti 2022. Ekspertët shprehen se edhe pemët e larta tashmë po digjen, një sinjal alarmues për shkallën e thatësisë ekstreme.
Zjarri në jug të Francës është vetëm një nga shumë të tjerë që kanë goditur Mesdheun këtë verë. Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, që nga fillimi i vitit 2025, janë djegur mbi 350,000 hektarë tokë në Evropë – më shumë se dyfishi i vitit të kaluar në të njëjtën periudhë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës po përkeqëson intensitetin dhe frekuencën e zjarreve në Mesdhe. Sipas Observatorit Evropian të Thatësirës, më shumë se gjysma e kontinentit, përfshirë vendet mesdhetare, ka përjetuar këtë korrik kushtet më ekstreme të thatësirës që nga fillimi i monitorimit në vitin 2021.
Një hetim është në proces për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit në Aude, ndërsa përballja me pasojat e ndryshimeve klimatike duket gjithnjë e më e vështirë për Evropën Jugore.