SYRI TV/ Zaptimi i hapësirave publike në Korçë, 377 subjekte në shkelje

377 subjekte që kanë zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme, duke përbërë rrezik për sigurinë rrugore në qarkun e Korçës janë gjobitur dhe paralajmëruar për ti liruar ato. Drejtori i IKMT Korçë Edi Bitri thekson se në rast të kundërt do të ketë gjoba dhe prishje të këtyre objekteve.

Syri TV

Në kuadër të aksionit dhe zbatim të urdhrit të Kryeinspektorit për subjektet që cenojnë sigurinë kombëtare përgjatë akseve rrugore të qarkut Korçë, Drejtoria Rajonale e IKMT, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar ka ndërmarrë një aksion të gjerë monitorimi dhe ndërhyrjeje.

Drejtori Rajonal i IKMT Korçë Edi Bitri, tha se janë evidentuar 377 subjekte që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, duke përbërë rrezik për sigurinë rrugore dhe rendin urban. Shkeljet përfshijnë rrethime banesash, struktura të bizneseve, tabela reklamuese dhe mjete të çmontuara që bllokojnë trotuaret apo pjesë të rrugëve.

Sipas Bitrit, të gjitha subjektet janë paralajmëruar dhe u është dhënë afat deri më 31 korrik 2025 për të ndërmarrë çmontimin vullnetar të çdo strukture që zë hapësirë publike.

Gjobat do të fillojnë nga 500 mijë lekë të reja, dhe përveç gjobave, do të ndërhyhet edhe me prishje në rast të moszbatimit të kërkesave të IKMT.