Kina dhe ngritja e qytetit të ri global
Nga Adam Tooze - Financial Times/
Dikur mendonim se e dinim si do të dukej e ardhmja e një bote të globalizuar: qytete kozmopolite si Nju Jorku, Parisi, Londra, Hong Kongu. Këto vende kishin karakter kombëtar, por bashkonin njerëz, ide dhe para nga e gjithë bota.
Shumica prej tyre kishin qenë dikur kryeqytete perandorish të largëta. Disa, si Londra dhe Nju Jorku, u goditën rëndë nga ristrukturimet ekonomike të viteve 1970. Ato u rigjallëruan dhe u transformuan nga rritja globale.
Sipas teorisë, trendi i pandalshëm i globalizimit do të prodhonte më shumë qytete të tilla. Rrjetet digjitale dhe transporti ajror ndërkombëtar do t’i lidhnin ngushtë me njëra-tjetrën.
Fillimi i viteve 2000 ishte kulmi i këtij vizioni për të ardhmen. Qytetet e mëdha të Azisë, Shanghai, Shenzhen, Pekini, por edhe Mumbai dhe Bengaluru, iu bashkuan listës së “qyteteve globale”. Pamja e horizontit urban të Shangait u bë e njohur në mbarë botën.
Më pas, kriza financiare e vitit 2008 shkëputi lidhjen midis rritjes dhe tregtisë. Prodhimi kombëtar vazhdoi të rritej, por pjesa e tregtisë në raport me PBB-në u stabilizua. Bankat u tërhoqën. Financat europiane u tkurrën. Izolimet nga Covid-i midis viteve 2020–2022 i dhanë goditjen përfundimtare globalizimit të lirë.
Nëse vizitoni Kinën sot, do të shihni diçka që nuk ishte në horizontin tonë dy dekada më parë: megaqytete gjigante me dhjetëra milionë banorë, me teknologji dhe infrastrukturë jashtëzakonisht moderne, të lidhura ngushtë me ekonominë globale, por thuajse pa asnjë banor të huaj.
Të huajt përbëjnë vetëm 0.3 për qind të popullsisë së Pekinit. Në Chengdu, kryeqyteti i provincës Sichuan me 20 milionë banorë, të huajt janë vetëm 0.08 për qind e popullsisë.
Të dhënat tregojnë se kemi mbivlerësuar fuqinë e globalizimit për të krijuar tiparet e dikurshme të qyteteve globale dhe kemi nënvlerësuar ndikimin e rrjeteve të veçanta të parasë, njerëzve dhe ideve që u formuan nga trashëgimitë perandorake.
Ekonomitë e mëdha dhe të pasura, edhe ato që merren intensivisht me tregti, si Japonia, asnjëherë nuk kanë pasur pjesë të lartë të tregtisë në raport me PBB-në. Kjo vlen edhe për SHBA-në dhe BE-në. Nëse përjashtojmë tregtinë brenda vetë BE-së, pjesa e tregtisë me pjesën tjetër të botës është vetëm 23 për qind, një përqindje e zakonshme.
Madhësia e Kinës e përforcon edhe më shumë këtë logjikë. Ndërsa konsolidon pozitën si sistemi prodhues më i madh në historinë e njerëzimit, duhet të presim që ekonomia globale të ketë gjithnjë e më pak rëndësi për të.
Në përpjekjen për ta përgjithësuar idenë e globalizimit, kemi nënvlerësuar rrjetet gjuhësore dhe kulturore që formësojnë lëvizjet në distanca të mëdha. Anglishtja, spanjishtja, frëngjishtja dhe portugalishtja, gjuhët e perandorive perëndimore, shërbyen si kanale të lëvizjes globale. Kështu u formësuan qytete si Rio de Zhaneiro, Buenos Aires, Sidnej dhe Hong Kongu.
Sinosfera ka një logjikë tjetër kulturore dhe gjuhësore. Gjuha kineze krijon barriera të mëdha për migrimin e jashtëm. Por njëkohësisht, zotërimi i mandarinishtes së thjeshtuar krijon një kulturë të përbashkët për të paktën një të tetën e njerëzimit. Kjo hap rrugën për migrim masiv të brendshëm. Pekini mund të mos ketë shumë të huaj, por pothuajse 40 për qind e banorëve të tij kanë ardhur së fundmi nga pjesë të tjera të Kinës.
E njëjta gjë vlen për Bengalurunë në Indi, qendra e teknologjisë. Aty popullsia e huaj është shumë e vogël, por më shumë se gjysma e banorëve kanë migruar nga pjesë të tjera të Indisë.
Këto nuk janë qytete globale në kuptimin tradicional, por janë qendra dhe nyje në shoqëri të mëdha e novatore që përfaqësojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të ekonomisë botërore.
Jeta online e qytetarëve të tyre e pasqyron qartë këtë ndryshim. Banorët e megaqyteteve kineze, si bashkëkohësit e tyre gjetkë, janë të lidhur me smartfonët, duke konsumuar vazhdimisht lajme, thashetheme dhe shërbime të përditshme, të gjitha ekskluzivisht në mandarinisht.
“Great Firewall” ndan këtë botë nga ajo perëndimore. Por edhe pengesat gjuhësore dhe graviteti i rrjeteve sociale kineze krijojnë natyrshëm një internet të mbyllur. Edhe nëse përdor VPN dhe aplikacione për përkthim, kush ka kohë dhe energji për të ndjekur një botë tjetër digjitale kaq intensive?
Kur udhëheqja kineze nisi vizionin e saj për “qarkullimin e dyfishtë” në maj 2020, kjo u pa si një strategji gjeoekonomike për konkurrencë me SHBA-në. Kina do të ndërtonte një qark të fortë të konsumit dhe inovacionit të brendshëm, duke shfrytëzuar paralelisht një qark të veçantë të tregtisë ndërkombëtare. Por gjithnjë e më shumë, ky duket më shumë si një përshkrim i realitetit të ri ekonomik global sesa si një politikë e formuluar.
Në vend që të përzihen dhe të shkrihen si në një kazan të përbashkët, qytetet kineze janë qendra gjigante kombëtare dhe rajonale që ndërveprojnë intensivisht me pjesën tjetër të botës, por nga një distancë e kontrolluar./Përgatiti në shqip - Syri.net