Autoritetet meksikane akuzojnë Adidas për përvetësim kulturor mbi dizajnin e këpucëve

Një dizajn i ri këpucësh nga Adidas është përballur me akuza për përvetësim kulturor në Meksikë, pasi autoritetet në shtetin jugor të Oaxacës e kritikuan kompaninë për përdorimin pa leje të motiveve indigjene në modelin “Oaxaca Slip-On”.

Modeli i ri, pjesë e një bashkëpunimi mes Adidas Originals dhe stilistit amerikan Willy Chavarria, është frymëzuar nga sandalet tradicionale meksikane të njohura si huaraches. Chavarria, me origjinë meksikane, prezantoi dizajnin gjatë një paneli të Adidas në Porto Riko, duke e quajtur atë “një odë për kulturën Chicano”.

Por në Meksikë, reagimi ishte i ashpër. Guvernatori i Oaxacas, Salomon Jara, akuzoi Adidas për “kopjim të huaraches tradicionale pa kërkuar leje dhe pa dhënë meritat e duhura komunitetit indigjen Zapotec në Villa Hidalgo Yalalag”. Sipas tij, dizajni është i lidhur ngushtë me kulturën dhe identitetin indigjen dhe nuk mund të përdoret pa pëlqimin e komunitetit.

Ministria e Kulturës dhe Arteve e shtetit të Oaxacas i kërkoi Adidas të pezullojë menjëherë shitjen e këtij modeli, të njohë publikisht origjinën e tij indigjene dhe të nisë një proces dialogu me komunitetin përkatës. Ajo theksoi se “kultura e popujve indigjenë nuk është një burim që mund të shfrytëzohet pa respekt apo reciprocitet”.

Guvernatori Jara paralajmëroi gjithashtu se autoritetet po shqyrtojnë ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj Adidas dhe Chavarria.

Adidas, e cila nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje, është përballur me akuza të ngjashme edhe në të kaluarën. Në vitin 2022, Ministria e Kulturës e Marokut e akuzoi kompaninë për përvetësim të dizajnit tradicional maroken në fanellat e ekipit të futbollit të Algjerisë. Pas fillimisht mohoi akuzat, Adidas më vonë pranoi se dizajni ishte frymëzuar nga mozaikët tradicionalë zellige.

Meksika ka ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur kulturën indigjene. Një ligj federal i miratuar në vitin 2022 parashikon ndëshkime financiare dhe penale për përdorimin pa autorizim të shprehjeve kulturore indigjene dhe afro-meksikane.