Si po konkurron Evropa për pavarësinë e metaleve të rralla nga Kina
Prej afro tetë dekadash, në qytetin bregdetar La Rochelle të Francës, nxirren dhe përpunohen metalet e rralla të tokës – elementë kyç për teknologjitë moderne si telefonat inteligjentë, automjetet elektrike dhe turbinat me erë. Tashmë, kompania kimike belge Solvay po zgjeron uzinën e saj pranë Oqeanit Atlantik, me synimin për të përmbushur kërkesën në rritje të Evropës dhe për të pakësuar varësinë nga importet kineze.
Drejtori ekzekutiv i Solvay, Philippe Kehren, thekson se “ky është një treg në rritje të vrullshme dhe ka nevojë për zinxhirë furnizimi më të shkurtër dhe më të qëndrueshëm”. Në një kohë kur rreth 70% e nxjerrjes dhe 90% e përpunimit të këtyre metaleve ndodh në Kinë, Solvay synon të sigurojë deri në 30% të nevojave të Evropës për metale të rralla deri në vitin 2030 – kryesisht përmes riciklimit të pajisjeve ekzistuese në kontinent.
Zgjerimi strategjik i impiantit mbështetet nga qeveria franceze me 20 milionë euro në kredi tatimore, ndërsa BE-ja ka miratuar Aktin për Lëndët e Para Kritike, që synon të ulë ndjeshëm varësinë nga Kina deri në fund të dekadës. Aktualisht, Evropa ka vetëm dy impiante përpunimi të metaleve të rralla – një në Estoni dhe tjetri pikërisht në La Rochelle – i vetmi jashtë Kinës që përpunon të 17 metalet e rralla.
Sipas zyrtarëve të Solvay, objekti përpunues përmban më shumë se 1,500 procese kimike, që ndihmojnë në ndarjen e elementëve si neodimi, praseodimi, ceriumi dhe lantani. Të gjitha këto përdoren në industri strategjike – nga prodhimi i magnetëve për motorët elektrikë e deri te mbrojtja dhe teknologjia mjekësore.
Mungesa e minierave aktive në Evropë mbetet një sfidë. Projektet në Norvegji dhe Suedi janë ende në zhvillim, ndërsa kompanitë presin më shumë mbështetje rregullatore dhe financiare për të konkurruar me sektorin kinez. Ndërkohë, Australia, Brazili dhe Kanadaja po shfaqen si alternativa për furnizime të reja.
Ekspertët theksojnë se suksesi afatgjatë i Evropës varet nga gatishmëria për të paguar më shumë për standarde më të larta mjedisore dhe etike, krahasuar me koston e lirë, por të dëmshme për ambientin, të përpunimit në Kinë.
Në sfondin e tensioneve tregtare globale dhe kufizimeve kineze mbi eksportet strategjike, Solvay në La Rochelle po bëhet një pikë kyçe në betejën për pavarësi industriale dhe teknologjike të Evropës.