Abuzimet me fondet IPARD/ BE flet për SYRI-n: 112 mln euro të bllokuara, qeveria vodhi taksat e europianëve
Fermerët shqiptarë nuk do mund të përfitojnë 112 milionë euro mbështetje nga bashkimi europian, për shkak të abuzimeve me fondet IPARD nga Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR. Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, i tha Syri Televizion se programi IPARD III me 112 milionë euro fonde do vijojë të jetë i bllokuar, pasi pret që autoritetet shqiptare të zbardhin abuzimin me fondet e programit IPARD II, që përllogariten në rreth 35 milionë euro. Bashkimi Europian kërkon që autoritetet shqiptare ta marrin seriozisht këtë çështje, ndërsa thirrje për hetime bën edhe OLAF, zyra kundër mashtrimit në bashkimin europian që zbardhi skandalin në korrik të vitit 2023.
Nga Julian Hoxhaj/ Syri TV
Abuzimet e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR dhe mos hetimi i skandalit me fondet IPARD II, ka bërë që Bashkimi Europian të mbajë të bllokuara plotë 112 milionë euro fonde, të cilat do të duhet të ishin mbështetje për fermerët shqiptarë. Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, iu përgjigj ekskluzivisht kërkesës së Syri Televizion, në lidhje me programin IPARD III. Sipas përgjigjes së dhënë për Syri TV, Bashkimi Europian, shprehet se 112 milionë euro fonde mbështetëse për fermerët shqiptarë qëndrojnë të ngrira, derisa autoritetet në Shqipëri të zbardhin të plotë skemën e abuzimeve me rreth 35 milionë euro, shumë e raportuar më herë nga SYRI TV, të programit IPARD II, që dyshohet se shpërndanë për njerëz të lidhur me politikën dhe grupe kriminale.
Fondet IPARD III janë 112 milionë euro dhe fillimi i tyre varet nga dhënia e përgjegjësisë për menaxhimin e fondeve, e cila përfshin një vlerësim nga Komisioni Evropian mbi sistemin e brendshëm të menaxhimit dhe kontrollit të vendosur nga Qeveria e Shqipërisë për administrimin e IPARD III. Procesi i dhënies së kësaj përgjegjësie mund të nisë vetëm kur autoritetet shqiptare të kenë ndërmarrë masa korrigjuese të përshtatshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.
Bashkimi Europian deklaron gjithashtu, se ende nuk është e qartë shuma që autoritetet shqiptare kanë abuzuar me fondet e programit IPARD II. Sipas të një vlerësimi paraprak, dyshohet se janë rreth 35 milionë euro, të cilat janë investiguar më herët nga PLUG, që ministria e bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, kanë zhdukur duke i përdorur për qoka elektorale te familjarë të lidhur me politikanë të afërt me pushtetin apo dhe grupe kriminale. Bashkimi Europian nuk jep më shumë detaje mbi këtë situatë, por thotë se vijon auditimi, ndërsa kërkon që autoritetet shqiptare ta marrin seriozisht këtë çështje.
Pas gjetjeve të OLAF mbi zbatimin e programit IPARD në Shqipëri, Komisioni ka marrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian. Që prej korrikut 2023, bazuar në informacionin paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve IPARD ndaj Shqipërisë. Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet.
Syri televizion pyeti edhe OLAF, nëse ka të dhëna mbi procesin hetimor në Shqipëri. Zyra Kundër Mashtrimit të Bashkimit Europian, u përgjigj kërkesës tonë, duke u shprehur se pas hetimit të zhvilluar në vitin 2023, pret që autoritetet shqiptare të merren me këtë çështje.
OLAF përfundoi hetimin e saj në lidhje me akuzat për të cilat po i referoheni në vitin 2023. Si rezultat, OLAF gjithashtu lëshoi rekomandimet e saj përkatëse, të cilat iu transmetuan së bashku me raportin e saj përfundimtar autoriteteve kompetente përkatëse. Ju lutemi vini re se OLAF kryen hetime administrative. Më pas, autoritetet kompetente duhet të vendosin për çdo ndjekje të rekomandimeve të OLAF që ato mund ta konsiderojnë të përshtatshme.
Në korrik të vitit 2023, OLAF përfundoi një hetim ku zbuloi se dhjetëra milionë euro të taksapaguesve europianë, që jepeshin si ndihmë për fermerët shqiptarë, ishin abuzuar nga ministria e bujqësisë dhe AZHBR. Pas hetimit të OLAF, Bashkimi Europian ndërpreu programin IPARD II dhe pezulloi plotë 112 milionë euro të programit IPARD III, duke kërkuar nga autoritetet shqiptare që të zbardhin abuzimet dhe të kthejnë mbrapsht paratë. Por deri më sot, dosja e abuzimeve me fondet e fermerëve shqiptarë, fle në sirtarët e SPAK, ndërsa mos hetimi, ka sjellë për pasojë 112 milionë euro mungesë që do të duhej të ishin ndihmë për të zhvilluar bujqësinë në Shqipëri.