Parashikimi i ‘The Economist’: Edhe e ardhmja e Gazës do të jetë e zymtë

THE ECONOMIST

Prej dy javësh, bota pretendon se po punon për t’i dhënë fund urisë së përhapur në Gaza. OKB po lut Izraelin të lejojë më shumë kamionë me ndihma të hyjnë në territor. Shtetet arabe dhe ato perëndimore po hedhin ushqim nga ajri.

Më 5 gusht, Donald Trump tha se Amerika do të marrë një rol më të madh në shpërndarjen e ndihmave, megjithëse ishte i paqartë për detajet. “E di që Izraeli do të na ndihmojë për shpërndarjen dhe gjithashtu me paratë,” tha ai. 

Megjithatë, në terren, banorët e Gazës thonë se pak gjëra kanë ndryshuar. Nuk ka mjaftueshëm ushqim që të hyjë në Gaza, as nuk ka ligj dhe rend që të mundësojë shpërndarjen. Hedhjet nga ajri janë të vështira për t’u arritur. Karvanët grabiten shumë shpejt pasi kalojnë kufirin. Gjetja e ushqimit shpesh kërkon një udhëtim të rrezikshëm deri në një qendër ndihmash, ku qindra palestinezë janë vrarë muajt e fundit, ose pagimin e shumë parave në tregun e zi.

Kjo është një katastrofë në vetvete, me pasoja afatgjata për shumë banorë të Gazës, veçanërisht për fëmijët. Por ajo gjithashtu është një shikim në të ardhmen e Gazës. Edhe pasi të përfundojë lufta, ajo do të mbetet në mëshirën e të tjerëve për vite me radhë. 

E ngushtuar mes Izraelit dhe Egjiptit, ky territor i vogël kurrë nuk ka qenë i vetëmjaftueshëm. Fqinjët e saj vendosën një embargo pasi Hamasi, një grup militant, mori pushtetin në vitin 2007. Ekonomia u dobësua. Gjysma e fuqisë punëtore në këtë zonë ishte e papunë dhe më shumë se 60% e popullsisë varej nga ndihma e huaj për të mbijetuar. OKB-ja jepte ndihma financiare, menaxhonte një rrjet klinikash që ofronin 3.5 milion konsultime në vit dhe operonte shkolla që edukonin rreth 300.000 fëmijë. 

Megjithatë, Gaza mund të përmbushte të paktën disa nga nevojat themelore vetë. Dy e pestat e territorit ishin toka bujqësore që furnizonin me mjaftueshëm produkte qumështi, mish pule, vezë dhe fruta e perime për të plotësuar shumicën e kërkesave lokale. Fabrika të vogla prodhonin gjithçka, nga ushqimet e paketuara te mobiljet. Qeveria e drejtuar nga Hamasi ishte joefikase, por siguronte ligjin dhe rendin. Pas pothuajse dy vitesh luftë, pothuajse asgjë nga kjo nuk ka mbetur.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) thotë se 2 milionë banorët e Gazës kanë nevojë për 62.000 ton ushqim në muaj. Kjo është një llogaritje minimale: do të siguronte vetëm ushqime bazë, pa mish, fruta, perime apo të tjera produkte. Sipas të dhënave të tyre, Izraeli ka lejuar shumë më pak. Ai vendosi një rrethim total mbi territorin nga 2 marsi deri më 19 maj, pa lejuar futjen e ushqimit. 

Më pas, Izraeli lejoi OKB-në të rifillojë dërgesat e ndihmave të kufizuara në veri të Gazës. Po ashtu ndihmoi në themelimin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), një organizatë misterioze që shpërndan ushqim në katër pika në jug dhe qendër të Gazës. Gjatë më shumë se dy muajve të operimit, ajo ka shpërndarë më pak se 0.7 vakte në ditë për secilin banor të Gazës—dhe kjo duke supozuar se secila kuti ndihme, e përbërë nga një përzierje e ushqimeve të thata dhe të konservuara, ofron vaktet që GHF pretendon.

Në total, Izraeli lejoi kalimin e 98.674 ton ushqime gjatë pesë muajve deri në korrik, mesatarisht 19.734 ton në muaj—vetëm 32% e asaj që WFP thotë se është e nevojshme.

Edhe pse volumi i ndihmave është rritur ditët e fundit, ai mbetet i pamjaftueshëm. “Po përpiqemi të fusim 80 deri në 100 kamionë çdo ditë,” thotë Valerie Guarnieri nga WFP. “Nuk është një objektiv i lartë, por një objektiv realist që mund ta arrijmë”.

Megjithatë, më 4 gusht, Izraeli lejoi vetëm 41 kamionë të agjencisë të hyjnë në një zonë pritjeje pranë kufirit të Gazës, dhe u lejoi shoferëve të marrin vetëm 29 prej tyre. 

Të hysh në Gaza është vetëm sfida e parë. Shpërndarja është një makth. Që nga 19 maji, OKB-ja ka mbledhur 2,604 kamionë ndihma nga kufijtë e Gazës. Vetëm 300 kanë arritur në destinacionin e synuar. Të tjerat janë bllokuar gjatë rrugës, ose nga civilë në dëshpërim, ose nga njerëz të armatosur. Punonjësit e ndihmave janë relativisht indiferentë ndaj civilëve që plaçkitin kamionët, gjë që e quajnë në mënyrë eufemiste “vetëshpërndarje”: ata mendojnë se ushqimi gjithsesi arrin te njerëzit që kanë nevojë. “Ka një kulm të vërtetë të dëshpërimit,” thotë znj. Guarnieri. “Njerëzit nuk kanë besim që ushqimi do të vijë ditën tjetër”.

Por tregu i zi i zhurmshëm tregon se një pjesë e madhe e ndihmave po vidhet. Dhoma e tregtisë së Gazës publikon një sondazh të rregullt për çmimet e ushqimeve (shiko grafikun). Një thes mielli prej 25 kg, që para luftës kushtonte 35 shekel (rreth 10 dollarë), më 5 gusht shitej për 625 shekel. Një kilogram domate shitej për 100 shekel, 50 herë më shumë se çmimi para luftës. Këto çmime janë shumë të larta për shumicën e banorëve të Gazës. Ata që kanë pak para shpesh përpiqen të blejnë sasi shumë të vogla; për shembull, një blerës mund të sjellë në shtëpi vetëm një patate për familjen e tij. 

Qëllimi i dukshëm i Izraelit duke kufizuar furnizimin me ndihma ishte të parandalohej që Hamas të vidhte ndonjë pjesë prej tyre. Në fillim të këtij muaji, grupi publikoi një video propagandistike me Evyatar David, një peng izraelit që mbahet ende në Gaza. Ai dukej i dobësuar dhe gjatë videos rrëfente se sa pak ushqim kishte marrë: disa thjerrëza ose fasule një ditë, asgjë ditën tjetër. Në një moment, një militant ia dha z. David një kanaçe fasule nga pas kamerës. Shumë shikues vunë re se dora e rrëmbyesit dukej mjaft e fryrë. Ndërsa një pjesë e madhe e Gazës po vuan urinë, duket se Hamasi ende po arrin të ushqejë luftëtarët e vet.

Pasojat e politikës së Izraelit godasin më fort fëmijët — ndonjëherë madje edhe para lindjes. “Një në tre shtatzëni është tani me rrezik të lartë. Një në pesë foshnja që kemi parë lindin para kohe ose me peshë të ulët,” thotë Leila Baker nga agjencia e OKB-së për planifikimin familjar. Krahasoni këtë me periudhën para luftës, kur 8% e foshnjave të Gazës lindnin me peshë të ulët (më pak se 2.5 kg). Midis janarit dhe qershorit pati 222 lindje të vdekura, dhjetë herë më shumë se nivelet para luftës.

Klasifikimi i Integruar i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC), një organizatë e mbështetur nga OKB-ja që monitoron urinë, tha muajin e kaluar se 20,000 fëmijë u shtruan në spital për kequshqyerje akute midis prillit dhe mesit të korrikut. Edhe para se të arrijnë në këtë pikë, sistemi i tyre imunitar dobësohet. Fëmijët me kequshqyerje të moderuar kapin infeksione më lehtë se ata të ushqyer mirë dhe sëmuren më rëndë, duke humbur shpejt peshën e trupit.

Trupi pëson një “goditje të madhe” kur marrja e ushqimit bie në vetëm 70-80% të normales, thotë Marko Kerac, pediatër në London School of Hygiene and Tropical Medicine, i cili ka trajtuar fëmijë në zona të goditura nga uria. Shumica e fëmijëve në Gazë hanë shumë më pak se kaq. Në korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi një shpërthim të sindromës Guillain-Barré, një sëmundje autoimune e rrallë që mund të ketë lidhje me urinë. Ministria e Shëndetësisë së Gazës thotë se rastet po shtohen, përfshirë edhe te fëmijët.

Jepna bukën tonë të përditshme 

Por marrja e kalorive nuk është e vetmja shqetësim. Edhe pse mielli dhe kripa në Gaza janë të fortifikuara me disa vitamina dhe minerale, si jodi, ato konsumohen në sasi të kufizuar—sidomos tani, pasi shumë furrë buke kanë qenë të mbyllura për muaj me radhë për shkak të mungesës së miellit dhe karburantit. Në shkurt, gjatë armëpushimit, Izraeli lejoi hyrjen e 15,000 tonëve frutash dhe perimesh dhe 11,000 tonëve mishit dhe peshkut në Gaza. Që nga marsi, ka lejuar vetëm 136 tonë mish. Kjo do të thotë se ka një përhapje të mungesës së lëndëve ushqyese të nevojshme që ndihmojnë zhvillimin e trurit të fëmijëve. 

Çdo fëmijë në Gaza, me fjalë të tjera, do të mbetet me rrezik për shëndet të dobët gjatë gjithë jetës për shkak të kequshqyerjes së sotme. Ka prova të qëndrueshme nga studime të popullatave që kanë përjetuar uri: gjatë Luftës së Dytë Botërore, urisë në Kinë në vitet 1960 dhe më së fundi në vende si Etiopia. Fëmijët që kanë pësuar kequshqyerje akute kanë norma më të larta të sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe sëmundjeve kronike të tjera si të rritur. Ata janë gjithashtu në rrezik për zhvillim më të keq njohës.