Zbulohen të vërtetat e errëta pas tragjedisë së nëndetëses Titan

David Lochridge, ish-drejtues i operacioneve detare në kompaninë Oceangate, paralajmëroi që në vitin 2018 se nëndetësja “Titan” ishte ndërtuar me mangësi serioze dhe se, nëse do të vazhdonte të përdorej, rrezikonte një katastrofë.

Pesë vite më vonë, në qershor 2023, nëndetësja u shpërthye në thellësi gjatë një zhytjeje drejt rrënojave të Titanikut, duke marrë jetën e pesë personave në bord, përfshirë edhe themeluesin e kompanisë, Stockton Rush.

Një raport i publikuar nga Rojat Bregdetare të SHBA këtë javë konfirmon se defektet e përsëritura në siguri, mungesa e testimeve dhe mirëmbajtja e dobët ishin arsyet kryesore të tragjedisë. Sipas raportit, kompania kishte shpërfillur paralajmërimet dhe kishte shmangur me vetëdije certifikimin e jashtëm për sigurinë e nëndetëses.

Lochridge, i cili kishte mbi 25 vite eksperiencë në misione detare dhe shpëtimi në nëndetëse, u punësua në Oceangate për të ndihmuar në ndërtimin e një nëndetëseje të re që do të sillte turistë në thellësitë ku ndodhen mbetjet e Titanikut. Fillimisht, projekti zhvillohej në bashkëpunim me një laborator kërkimor të Universitetit të Uashingtonit, por më vonë kompania vendosi ta marrë të gjithë ndërtimin përsipër vetë, duke ngritur dyshimet e para për Lochridge.

Gjatë inspektimeve të tij, ai vërejti probleme serioze me materialin e trupit të nëndetëses, e cila ishte ndërtuar me fibra karboni, një material që nuk ishte përdorur më parë në nëndetëse të thella. Shtresat e karbonit shfaqnin dëmtime të dukshme, ndërsa pjesët metalike të montuara në skaje ishin përpunuar gabim. Po ashtu, Lochridge ngriti shqetësime edhe për xhamin e vëzhgimit, që nuk ishte projektuar për thellësitë ekstreme.

Pasi paralajmëroi drejtuesit e kompanisë për rreziqet, ai u shkarkua menjëherë nga detyra. Më pas ai kontaktoi Agjencinë amerikane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (OSHA), e cila e vendosi nën mbrojtjen e statusit të “whistleblower”, por sipas tij, nuk mori asnjë veprim konkret për të hetuar çështjen. Edhe pse OSHA ia përcolli shqetësimet Rojës Bregdetare të SHBA, komunikimi rezultoi joefektiv, pasi emaili nuk u lexua kurrë, për shkak të një dërgese te një punonjës që kishte ndryshuar pozicion pune.

Ndërkohë, Oceangate nisi një betejë ligjore ndaj Lochridge dhe bashkëshortes së tij, duke e akuzuar për shkelje kontrate dhe keqpërdorim të informacioneve konfidenciale. Nën presion të vazhdueshëm ligjor dhe financiar, çifti u detyrua të tërhiqej nga padia dhe të firmoste një marrëveshje heshtjeje.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura që në fazën e parë të ndërtimit, nëndetësja “Titan” kreu disa zhytje provë dhe më pas nisi të transportonte pasagjerë në ekspedita turistike drejt Titanikut në vitet 2021 dhe 2022. Problemet teknike vazhduan edhe gjatë testimeve, ku u zbulua një çarje në trupin e nëndetëses, por kompania e zëvendësoi atë me një model të dytë dhe rifilloi operacionet.

Në tragjedinë e vitit 2023 humbën jetën pesë persona, përfshirë CEO-n Stockton Rush dhe një nga pasagjerët më të rinj që kishte udhëtuar ndonjëherë në thellësi të tilla.

Pas aksidentit, Lochridge dëshmoi në seancat publike hetimore duke akuzuar sërish autoritetet për mungesë reagimi. Raporti përfundimtar i Rojës Bregdetare mbështet vlerësimin e tij dhe thekson se vonesat dhe dështimi në koordinim mes OSHA-s dhe agjencive të tjera ishin një mundësi e humbur për ndërhyrje të hershme që mund të kishte shmangur humbjen e jetëve.

Oceangate ka pezulluar përfundimisht aktivitetin dhe ka deklaruar se po bashkëpunon me hetimet.