Shkencëtari e shpjegon: Ja si ndikon realisht metabolizmi në peshën tuaj

Nëse mendoni se rritja e metabolizmit është çelësi për të humbur peshë, nuk jeni të vetmit. Metabolizmi është kthyer në një nga fjalët më të përfolura në industrinë e mirëqenies – një “kod i fshehtë” që, nëse deshifrohet, besohet se zbulon sekretet e humbjes së peshës dhe shëndetit të përgjithshëm.

Por, sipas shkencëtarit të ushqyerjes Dr. Kevin Hall, shumë njerëz nuk e kuptojnë saktë se çfarë është në të vërtetë metabolizmi.

“Shumë njerëz mendojnë se metabolizmi ka të bëjë me sa ushqim mund të hamë pa shtuar peshë, apo diçka e ngjashme,” tha Hall për Dr. Sanjay Gupta në podcastin Chasing Life të CNN.

Çfarë është vërtet metabolizmi?

Sipas Hall, metabolizmi është një proces biokimik jashtëzakonisht i rëndësishëm që shndërron ushqimin që hamë dhe oksigjenin që thithim në gjithçka që jemi dhe gjithçka që bëjmë.

Dr. Kevin Hall është një nga shkencëtarët kryesorë në fushën e ushqyerjes dhe metabolizmit. Ai njihet për studimet e tij mbi pjesëmarrësit e reality show-t “The Biggest Loser” dhe për kërkime të mëvonshme mbi ushqimet ultraprocesuara dhe ndikimin e tyre në obezitetin.

Në prill 2025, Hall dha dorëheqjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA (NIH), duke përmendur censurimin e komunikimit të gjetjeve të tij shkencore. Ai është bashkautor i librit të ri “Food Intelligence: The Science of How Food Both Nourishes and Harms Us”.

Tri mite të zakonshme mbi metabolizmin që nuk qëndrojnë

Miti 1: Personat me obezitet kanë metabolizëm të ngadaltë

Sipas Hall, e kundërta është shpesh e vërtetë: personat më të mëdhenj kanë metabolizëm më të shpejtë se ata më të dobët. Kjo ide e gabuar erdhi nga studime të hershme që u bazuan në të dhëna të vetë-raportuara nga pjesëmarrësit, ku shpesh individët me obezitet nënraportonin sasinë e kalorive që konsumonin.

Me teknologjitë e reja, metabolizmi matet drejtpërdrejt – dhe rezultatet tregojnë se personat me obezitet djegin më shumë kalori, në përgjithësi.

Megjithatë, miti ka çuar në pasoja të rënda, madje edhe fatale. Në vitet 1930, një përbërje kimike (DNP) u përdor për të rritur metabolizmin, por u hoq nga tregu pasi shkaktoi verbëri dhe vdekje.

“Nuk mund të manipulosh një proces kaq themelor për jetën pa pasur efekte anësore serioze,” thotë Hall.

Miti 2: Metabolizmi ngadalësohet me moshën

Hall thotë se metabolizmi mbetet relativisht konstant deri në moshat shumë të avancuara (70-80 vjeç).

Ndryshimet që ndodhin pas moshës 30, si humbja e masës muskulore dhe shtimi i yndyrës, mund të ndikojnë në ritmin metabolik – por këto janë të lidhura me stilin e jetës, jo me moshën vetë.

Për ta parandaluar këtë, Hall rekomandon stërvitje me pesha dy herë në javë dhe marrje të mjaftueshme të proteinave.

Miti 3: Një metabolizëm i shpejtë është i domosdoshëm për të humbur peshë

Sipas Hall, njerëzit që arrijnë të humbin peshë dhe ta mbajnë atë, shpesh kanë metabolizëm më të ngadaltë.

Ai e krahason këtë me një sustë: sa më shumë humbje peshe të ndodhë, aq më shumë ngadalësohet metabolizmi. Por, kjo nuk i pengon ata të ruajnë rezultatet.

“Ngadalësimi i metabolizmit nuk përcakton aftësinë për të humbur peshë apo për ta mbajtur atë,” thekson ai.

Çfarë duhet të mbajmë mend?

Hall dëshiron që njerëzit ta shohin metabolizmin për atë që është vërtet: një proces thelbësor dhe i mrekullueshëm biologjik, jo thjesht një mjet për të humbur peshë.

“Metabolizmi është rrjedha e vazhdueshme e materies dhe energjisë që fuqizon çdo qelizë të trupit tonë. Është një përbërës themelor i jetës – dhe është jashtëzakonisht interesant,” përfundon Hall.