Minatori humbi jetën gjatë punës, arrestohen 5 punonjës: Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes...

Pesë punonjës të stafit teknik të një subjekti minerar janë arrestuar nga Policia e Bulqizës, pas ngjarjes tragjike të ndodhur dje, ku humbi jetën shtetasi Fari Veliu, 66 vjeç, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor gjatë punës në galeri.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale për zbardhjen e ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive, Policia arrestoi në flagrancë shtetasit: Njazi Përkola, 46 vjeç; Besnik Çupi, 68 vjeç; F. T., 61 vjeç; Ervis Kadiu, 35 vjeç; Edmond Xhafa, 51 vjeç. 

Të gjithë janë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar ku ndodhi ngjarja.

Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit dyshohen se, me veprimet apo mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e nevojshme për garantimin e kushteve të mbrojtjes në punë, çka dyshohet të ketë sjellë pasojë fatale për minatorin.

Ngjarja ka ndodhur në subjektin minerar "Gerti shpk", me aksioner të vetëm Jeton Danin, ku edhe më herët kanë ndodhur aksidente në punë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.